AK: Petrolifera, monopol

17/03/2010 17:05

Autoriteti i Konkurrencës ka vërtetuar dyshimet paraprake se shoqëria që ka me koncension depozitat e gazit në portin e Vlorës ka kufizuar konkurrencën duke lejuar vetëm një shoqëri të përdorë terminalin e ngarkim-shkarkimit të gazit.

“Nga inspektimet e kryera rezultoi se vetëm një operator i tregut ka drejtë të shkarkojë dhe të depozitojë produktet e saj në terminal.Kjo kontratë mund të ketë efekte të rënda kufizuese për konkurentët, pasi nuk u ka dhënë mundësinë ndërmarrjeve të tjera që operojnë në këtë treg”, u shpreh Lindita Lati, kryetare e AK-së.

Paraprakisht Komisoni i Konkurrencës ka marrë vendim ku urdhëron shoqërinë Petrolifera që të hapë brenda 5 ditësh terminalin e shkarkimit për të gjitha shoqëritë e importit të gazit, në të kundërt do të ketë masa të tjera më të forta.

“Të hapet menjëherë për të gjitha shoqëritë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë gjoba për kompaninë do të jetë 2-10 për qind të xhiros vjetore”, u shpreh Lati.

Petrolifera ka me koncesion ekskluzivitetin e depozitave të gazit në portin e Vlorës, një monopol që i është dhënë nga qeveria shqiptare, i cili sipas Autoritetit dyshohet se është keqpërdorur në kurriz të konsumatorëve që shkaktoi një rritje mbi 20 perqind të cmimeve të gazit në tregun vendas. Autoriteti njoftoi se hetimi për këtë cështje do të vazhdojë deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar bashkë me sanksionet përkatëse për shoqërinë.

Top Channel