Duhet rikonstruktuar “Qemal Stafa”

22/01/2010 12:10

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve emeroi zyrtarisht Gazmend Sollakun, në postin e drejtorit të shoqërisë aksionere që administron stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Lajmin e bëri të ditur këshilltari i ministrit të Sporteve, Indrit Fortuzi. Këshilli Mbikëqyrës i Qendrave Sportive, në një mbledhje të jashtëzakonshme, pas një analize të hollësishme të incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes miqësore të së mërkurës midis ekipeve të futbollit, Gramozi dhe Real i Madridit, lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike për 1 orë e 30 minuta, vendosi të bëjë shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit aktual, Perikli Dhales, dhe të emërojë në vend të tij ish-futbollistin e njohur të Dinamos, Gazmend Sollaku, i cili është një specialist i mirënjohur i futbollit dhe një menaxher i shkëlqyer.

Në deklaratë u theksua se “shkarkimi i drejtorit aktual bëhet për shkak se ai lejoi fillimin e ndeshjes edhe pse nuk ishin marrë masat e parashikuara në rregullore, sidomos ato të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji elektrike”.

Në zbatim të VKM nr.642 “Për këshillat mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore”, Udhëzimit nr.318 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e këshillit mbikëqyrës në shoqëritë anonime shtetërore”, si dhe në zbatim të statutit të shoqërisë “Qendra Sportive”, neni 11, u vendos shkarkimi i Perikli Dhales nga detyra e drejtorit te sh.a. “Qendra Sportive”.

Gjithashtu bazuar në VKM nr.642 “Për këshillat mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore”, Udhëzimit nr.318 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e këshillit mbikëqyrës në shoqëritë anonime shtetërore”, Kap.IV, “Kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës”, pika 2, si dhe në zbatim të statutit të shoqërisë “Qendra Sportive”, neni 9, nisur nga fakti që vendi i drejtorit të “Qendrave Sportive” ka mbetur vakant, vendosi Gazmend Sollakun si drejtorin e sh.a. “Qendra Sportive”.

Drejtori i ri i stadiumit “Qemal Stafa”, pohoi se ka ardhur koha të ristrukturohet stadiumi dhe se ai do të bashkëpunojë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, që prej kohësh e ka kërkuar marrjen me koncesion. “Po ashtu dua t’ju vë në dijeni se sot është ngritur një grup pune me përfaqësues të ministrisë sonë dhe Ministrisë së Ekonomisë për të marrë në shqyrtim një reformë të thellë, e cila do të prekë dhe ndryshojë formën e administrimit të ambienteve sportive, nënvizoi ish-ikona e Tiranës, Indrit Fortuzi, i cili u deklarua pro largimit të OSSH-së.

Në këtë rast ai mban përgjegjësi të plotë për lejimin e ndeshjes, por përgjegjëse kryesore është OSSH.

Gjithashtu prokuroria dhe policia duhet të vazhdojnë hetimet e tyre për të ndjekur pistën e sabotimit, sepse për të gjithë dje ka qenë i çuditshëm fakti që u dogj vetëm transformatori që kishte lidhje me ndriçimin e stadiumit.

Por menjëherë pas akuzës së Fortuzit ka reaguar Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, OSSH, në lidhje me skandalin e ndodhur në stadiumin “Qemal Stafa”, ku “blackout”-i u bë shkak për mospasjes energji elektrike në katër kullat ndriçuese pas djegies së transformatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA