Kthehej nga Belgjika, kapet trafikanti i droges

19/05/2009 08:00

Një trafikant droge nga Roskoveci është vënë në prangat e policisë pas më shumë se një viti kërkimesh nga policia e Fierit.

Mësohet se menjëherë pas kthimit të tij nga Belgjika, është arrestuar në aeroportin e Rinasit 47-vjecari Nuredin Bishani. Edhe pse me emër të rremë, identiteti i Bishanit është zbuluar gjatë kontrollit të policisë kufitare, e cila ka kryer prangosjen e menjëhershme të tij. Bishani ishte shpallur person në kërkim prej më shumë se një viti, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier kishte vendosur për të masën e arrestit “burg pa afat”.

Po sipas policisë, Bishani është nën gjykim për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë. Por, drejtues të policisë së Fierit tregojnë se emri i Nuredin Bishanit lidhet edhe me dy ngjarje të tjera trafiku droge, të cilat tashmë janë zbardhur.

Ndërkohë që tre vjet më parë, Bishani është arrestuar si autori i dyshuar për falsifikim të dokumenteve, vepër për të cilën ai është gjykuar nga Gjykata e Tiranës.

Top Channel