Obama: Do shmangim proteksionizmin

04/02/2009 08:45

Presidenti Barak Obama thotë se dëshiron të shmangë cdo shenjë të proteksionizmit në paketën 800 miliardë dollarëshe për stimulimin e ekonomisë amerikane që po debatohet në senat.

Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë kundërshtuar një klauzolë të këtij projektligji, e cila kërkon nga kompanitë që do të përfshihen në projektet e infrastrukturës, që ta blejnë hekurin, celikun apo edhe produktet e gatshme në Shtetet e Bashkuara. Paketa 800 miliardë dollarëshe e shpëtimit synon të krijojë miliona vende të reja pune dhe të rindërtojë infrastrukturën në Shtetet e Bashkuara.

Obama tha se në këtë kohë krize globale do të ishte një hap i gabuar nëse pjesës tjetër të botës i dërgohej mesazhi se amerikanët po mendonin vetëm për vete.  “Mendoj se kjo do të ishte gabim në këtë moment. Do të ishte një burim potencial për një luftë tregtare, e cila mund të ketë pasoja për ne në një kohë kur volumi i tregtisë po bie në të gjithë globin. Ne duhet të sigurohemi që klauzolat që përmban ky projektligj të mos shkaktojnë një luftë tregtare”, tha Obama në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan ABC News.

Por ai ende nuk ka deklaruar se si do të zgjidhet kjo çështje.

Top Channel