Hugh Hefner krijoi një botë fantazie për miliona burra, por ndryshe nga shumica e lexuesve të tij, ai e jetoi ëndrrën.

Ai hyri me sukses në një gjeneratë të re amerikanësh, që gëzuan standardet e larta të jetesës në vitet e bumit të madh, 1950-1960.

Një aktivist politik dhe filantrop, ai krijoi jo thjesht një revistë, por një stil të tërë jetese. E me lepurushin e famshëm me kravatë të “Playboy”-it, ai themeloi një nga markat më të famshme të shekullit të XX.

Hugh Marston Hefner u lind në Chicago më 9 prill 1926, nga dy prindër mësues e me këndvështrime të forta fetare. Pasi shërbeu në ushtrinë amerikane si një shkrimtar, ai u diplomua në psikologji, para se të fillonte të punonte për një revistë burrash, “Esquire”.

Në vitin 1953, ai mori hua 8.000 dollarë për të nxjerrë në dritë numrin e parë të “Playboy”. Hefner ishte aq i shqetësuar se mos revista nuk do të shitej, saqë nuk vendosi datë në kopertinë. Por revista e tij u bë “Bibla” e meshkujve amerikanë të klasës së mesme.

Në atë edicion të parë u botua një set fotosh nudo të Marilyn Monroe, që Hefner i bleu për 200 dollarë.

“Asnjëherë nuk e mendoja si një revistë seksi. E shihja gjithnjë si një revistë mondane, në të cilën seksi ishte një përbërës i rëndësishëm”, do të thoshte vet Hefner.

E në fakt, revista ishte një sukses i paparë. Për 20 vitet e ardhshme, “Playboy” dominoi në tregje, me artikujt që ngjesheshin mes fotove të panumërta të grave të bukura, me yje si Kim Basinger, Pamela Anderson, Madonna etj., të lumtura që pozonin për revistën.

Ndërsa në vitet ’80 pati disa telashe. Ai pësoi infarkt dhe ia kaloi drejtimin e sipërmarrjeve “Playboy” të bijës, Christie Hefner. Ndërkohë vet Hefner – siç edhe shprehet, – kishte zbuluar viagrën dhe kalonte ditët në rezidencat e tij, i veshur me pizhama mëndafshi, i rrethuar nga dhjetëra lepurushe. Kjo, deri në vitet e fundit të jetës së tij.

“Kam ëndërruar ëndrra të pamundura, e ëndrrat më çuan përtej gjithçkaje që mund të kisha imagjinuar. Jam njeriu më me fat në planet”, do të shprehej ai.

Top Channel