BE kërkon demarkacionin, edhe për Malin e Zi s’ka pakt të ri

18/09/2017 00:00

Ditën e parë të punës si Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj shkarkoi komisioni shtetëror që negocioi me Malin e Zi çështjen e demarkacionit të kufirit.

Vetë Haradinaj ishte një ndër kundërshtarët më të ashpër të paktit, duke e quajtur atë në dëm të Kosovës. Sot Kryeministër, Haradinaj premton rishikimin e marrëveshjes me Podgoricën.

“Kanë ndodhur gabime. Kufiri është në Çakorr dhe në Kullë. Nuk do t’i humbim kohë vendit me këtë temë, sepse kjo temë nuk do të jetë pengesë dhe do të bëhet rishikimi i vijës kufitare”, thotë kryeministri Haradinaj.

Megjithatë, Bashkimi Europian ka kërkuar ratifikimin sa më parë në Kuvend të marrëveshjes së arritur.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar dhe ne konsiderojmë si shumë të rëndësishme që marrëveshja për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet dhe këtë shumë qartë ja kam bërë me dije kryeministrit. E kam diskutuar me të dhe këto janë pritshmëritë tona”, tha në një konferencë për mediat, Angelina Eichhorst drejtore për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Europian.

Edhe për palën malazeze kjo çështje është e mbyllur me marrëveshjen e nënshkruar dhe debatet në Kosovë për demarkacionin, Podgorica i quan çështje të brendshme të Kosovës.

“Situata në lidhje me kufirin do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve. Pavarësisht raportimit të mediave në Kosovë për shkarkimin e komisionit për caktimit e kufirit me Malin e Zi, marrëveshja e demarkacionit mes dy vendeve është ajo që është arritur para dy viteve”, ka deklaruar Milan Paunoviç, kryetar i komisionit malazez për demarkacionin e kufirit me Kosovën.

Top Channel