Sezoni i ri në Top Channel

04/09/2017 00:00

Sezoni i ri televiziv në Top Channel starton me emisionet e tij tradicionale, por me risi për shikuesit. Emisioni investigativ “Fiks Fare” vjen me surpriza të reja në këtë sezon të ri, i cili nis mbrëmjen e sotme, në Top Channel.

Programi, i cili sjell në ekranet e shqiptarëve denoncimet dhe skandalet e korrupsionit, do të vijë këtë vit me ndryshime për ta çuar në një nivel edhe më të lartë këtë emision kaq të dashur për shqiptarët.

Edhe këtë vit ky emision do të drejtohet nga dyshja Devi dhe Dori, të cilët përmes batutës dhe sarkazmës do të shtjellojnë problem të ndryshme që shqetësojnë qytetarët në cdo cep të vendit.

Formati i emisionit nuk ka ndryshuar, por do të ketë surpriza për teleshikuesit. Këtë sezon emisioni investigativ Fiks Fare do të ketë në fokus të veçantë drejtësinë, duke i dhënë një ndihmë edhe vetingut të saj.

Orët e paradites, në Top Channel do të vijnë me këshillat e “Në shtëpinë tonë”. Anjeza Maja dhe Florian Agalliu do t’ju flasin për kuzhinën dhe njohjen nga afër të produkteve të ndryshme bio.

Ndërkohë, shikuesit e orëve të pasdites do të jenë sërish në shoqërinë e Jonida Shehut dhe “Pasdite në Top Channel” nga e hëna deri të premten, që prej orës 18, me risi dhe të ftuar nga fusha të ndryshme për të diskutuar tema të prekshme nga të gjithë.

Fundjava sportive do të analizohet në Top Channel sërish në Procesin Sportiv me Edi Manushin dhe të ftuarit e emisionit. Analiza për çdo ngjarje me rëndësi nga bota e sportit vendas dhe ndërkombëtar do të rikthehet tek shikuesit e Top Channel të hënave në orën 22:20.

Top Channel