Basketboll, sot Shqipëri-Holandë; Shima: Dështuam

19/08/2017 00:00

Përfaqësuesja shqiptare e basketbollit për meshkuj do të luajë mbrëmjen e sotme ndeshjen e fundit të fazës paraeliminatore për Botërorin 2019, përballë Holandës në “Feti Borova”, në orën 20:30.

Pas 3 ndeshjeve janë regjistruar 3 humbje, duke regjistruar një dështim në gjithçka kishin parashikuar për këto ndeshje përballë Austrisë dhe Holandës. Kapiteni i përfaqësueses kuqezi, Gerti Shima, tregon se basketbolli shqiptar vazhdon të jetë shumë larg kujtdo kundërshtari.

“Austria dhe Holanda luajnë në Kampionat Evropian, janë në 24 skuadrat më të mira të Evropës. Ne duhet të shohim veten tonë. Jemi në vitin 2017 dhe ka lojtarë që nuk pranojnë të vijnë në kombëtare. Kjo është fatkeqësi për basketbollin shqiptar”, tha Shima.

Për Shimën, ndeshja e mbrëmjes së sotme duhet të jetë vetëm për tifozët që i kanë qëndruar besnikë skuadrës, pavarësisht nivelit të dobët: “Është ndeshje që nuk ndryshon asgjë në renditje, por e luajmë në fushën tonë dhe duhet të kënaqim ato pak sportdashës që na kanë mbështetur deri tani”.

Me entuziazmin e një skuadre që ka mbërritur për të fituar është shfaqur përfaqësuesja holandeze në “Feti Borova”. Trajneri i tyre, Toon van Helfteren thekson se këtë herë nuk do të befasohen: “Kemi ardhur këtu për ta fituar ndeshjen, por e njëjta gjë do të jetë edhe për Shqipërinë. Për të qenë i ndershëm mund të them se në ndeshjen e parë në Holandë skuadra juaj na befasoi, e menduam si kundershtar të lehtë. Do të jetë surprizë për ne nëse fiton Shqipëria”.

Top Channel