“Bie” Shkupi dhe Struga, përfiton Shkëndija! Tetovarët marrin kreun e klasifikimit

01/05/2024 20:09

Shkëndija e Tetovës merr kreun e klasifikimit në Maqedoninë e Veriut, duke përfituar edhe nga disfata e Shkupit dhe Strugës.

Tetovarët realizuan një përmbysje të çmendur pasi po humbisnin me shifrat 0-2 deri në minutën e 77 ndeshjen ndaj Brera Strumica. Por, në këtë minutë nisi edhe përmbysja e madhe me kuqezinjtë që realizuan tre gola të shpejtë me anë të Ademit, Cakes dhe në limite me Aganspahic. Një trepikësh që ngjit Shkëndijen në vendin e parë me 58 pikë, po aq sa edhe Struga me Shkupin.

Siç e përmendëm më parë, nuk ishte një javë e mbarë për Shkupin dhe Strugën që u mposhtën respektivisht nga Gostivari dhe Tikves. Shkupi u mposht me shifrat 2-0, ndërsa Struga 3-2, me të dyja skuadrat shqiptare që tashmë mbeten në kuotën e 58 pikëve kur kanë mbetur edhe tre ndeshje nga fundi i kampionatit.

Si Shkupi, ashtu edhe Struga do të përballet me Shkëndijen në sfidat që me siguri do të përcaktojnë edhe fituesin në fund.

Sa i takon ndeshjeve të tjera të javës së 30 në Maqedoninë e Veriut, Vardari mposhti në transfertë 0-3 Bregalnicën, Voska Sport fitoi në transfertë 0-2 me Makedonija GP, si dhe Rabotnicki fitoi po në transfertë 0-1 ndaj Sileksit.

Top Channel