Goleada ndaj Shkëndijës, Milan barazon rekordin e 1993-shit

18/08/2017 00:00

Kush priste një paraqitje pozitive të Milanit në Europa League u entuziazmua më shumë, pasi kuqezinjtë bënë edhe më mirë ndaj Shkëndijës së Tetovës. Plot 6 gola, ndaj një skuadre gjithsesi të vogël për ambiciet e lombardëve, sigurojnë “de facto” kualifikimin në fazën e grupeve, por kënaqin edhe egon e atyre që jetojnë me statistikat.

Për herë të parë pas 24 vitesh, Milani arriti të shënojë 6 gola në një ndeshje kontinentale. Andre Silva dhe Montolivo nga dy herë, si dhe rrjetat e Borinit dhe Antonellit siguruan suksesin që barazon fitoren para më shumë se dy dekadash e gjysmë. Për të parë një rezultat të tillë duhet të kthehemi pas në kohë, në tetor të vitit 1993, kur Milani mundte Kopenhagenin në Kupën e Kampioneve me të njëjtat shifra tenistike, por në transfertë.

Në kontrast me emrat mesatarë të kontigjentit aktual, asokohe te Milan shënonin futbollistë që shkruan historinë, si Jean-Pierre Papin, Michael Laudrup apo Marco Simone.

Në po atë sezon, Milani arriti të fitonte Champions League, pas finales mbresëlënëse ndaj Barcelonës në stadiumin “Olimpik” të Athinës. Nostalgjikët kujtojnë sesi Massaro, Saviçeviç dhe Marcel Desailly shkatërruan katalanasit e të madhit Johan Cruyff, e ndoshta heqin paralele këtë sezon duke u kënaqur me një triumf potencial në Europa League.

Top Channel