Dhunë dhe stres nga ministrja, drejtorët e Arsimit e padisin

14/08/2017 00:00

6 drejtorë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca depozituan pranë Prokurorisë së Përgjithshme një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Ministres Teknike Mirela Karabina.

“Këtë kallëzim e dorëzojmë për shkak të të gjitha shkeljeve ligjore që ka shkaktuar ministrja dhe parregullsive të shumta gjatë ushtrimit në këto tre muaj të detyrës së saj”, u shpreh Vladimir Gjoni, Drejtor i Sporteve në MAS.

Në kallëzimin penal, Ministrja Karabina akuzohet se u ka kërkuar punonjësve të administratës të kryejnë veprime të paligjshme nën kërcënimin e kallëzimeve penale dhe dhunës psikologjike në 13 raste.

“Është vënë re një intimidim dhe stresim i punonjësve dhe përpjekje për të imponuar zgjidhjen e problemeve në mënyrë jo korrekte dhe jo ligjore”, thotë Gjoni.

Ministrja Karabina akuzohet deri edhe për dhunën fizike ndaj punonjësve, të ushtruar nga persona të tretë.

“Është ndaluar sekretari i përgjithshëm nga dy punonjës të pa emëruar që kanë ndaluar hyrjen e tij në zyrë duke shkatërruar edhe derën ky është një rast skandaloz”, vë në dukje Gjoni.

Akuza të tjera janë hartimi i akteve të emërimit të funksionarëve politikë në mënyrë të paligjshme, ka emëruar dhe liruar në detyrë punonjës në shkelje të hapur me ligjin, ka vepruar në kundërshtim me ligjin në nxjerrjen e disa akteve nënligjore dhe administrimin e dokumentacionit zyrtar të ministrisë dhe disa shkelje të tjera.

Ndërkohë vetë ministrja Karabina thotë së që javën e dytë të ushtrimit të detyrës ka konstatuar parregullsi dhe situatë antiligjore në Ministrinë e Arsimit. Ajo fton Prokurorinë të hetojë këtë situatë, ndërsa thotë se është domosdoshmëri reformimi rrënjësor të administratës publike.

Top Channel