PSG, prezantohet Neymar: Zgjodha me zemër, jo për parà

04/08/2017 00:00

Në Paris cilësohet si “dita e Neymar”, pikërisht kjo e sotmja kur lojtari brazilian i ardhur së fundi nga Barcelona është prezantuar në krah të presidentit al-Khelaifi me fanellën e Paris SG.

Por për “O Ney” duket se është e pashmangshme të shohë nga e kaluara, përpara se të mendojë për të ardhmen. “Te Barcelona ndihesha mirë, por zemra më solli këtu në Paris”, shprehet braziliani, duke shpjeguar në këtë mënyrën lamtumirën që i dha klubit blaugrana dhe dashurinë e sapolindur për parizienët e Nasser al-Khelaifi. “Mezi po pres të filloj të luaj me shokët e mi të rinj të skuadrës, për të synuar fitimin e sa më shumë titujve”.

Megjithatë, ka nga ata që e kanë pyetur nëse motivi i vërtetë i transferimit kanë qenë paratë. Neymar u është përgjigjur këtyre duke thënë se “vendimi nuk ka të bëjë aspak me të hollat. Ajo që kam kërkuar është lumturia ime dhe e familjes sime. Jam këtu sepse kam ndjekur atë që më ka dashur zemra”.

Sa u përket kritikave të tifozëve katalanas, të zhgënjyer për largimin e tij, ylli i kombëtares braziliane ka thënë se  ndihet shumë i trishtuar për këtë që ka ndodhur. “Por nuk kam treguar mungesë respekti për askënd. Gjithsesi nuk je i detyruar të qëndrosh në një klub, nëse kjo nuk është dëshira jote. Dua të falënderoj të gjithë tifozët e Barcelonës dhe drejtuesit e klubit, por vendosa të vij këtu në Paris për ambiciet e mia dhe ato të këtij klubi”.

E cilat janë objektivat e fantazistit të “Seleçao”-s? “Sfida kryesore për momentin është Champions League, por nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë, duam të fitojmë të gjithë titujt e tjerë të mundshëm”, shprehet Neymar gjatë prezantimit në “Parc des Princes”. “Parisi është shtëpia ime e re, ku po përjetoj një ëndërr të re”.

Ndërkohë ka folur edhe presidenti al-Khelaifi në lidhje me transferimin dhe pagesën e klauzolës së prishjes së kontratës, për të cilën ka saktësuar:

“E kemi paguar ne klauzolën e prishjes, jo Neymar individualisht. Vetëm me blerjen e Neymarit, vlera e klubit tonë është rritur me 50% dhe shumë shpejt do të mbërrijë në 100%”, shpjegon presidenti i klubit parizien.

Po respektimi i rregullit të “Fair Play”-t financiar? Edhe për këtë, sheiku i Parisit ka një përgjigje.

“Do të jemi tejet transparentë, do t’u përmbahemi rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s dhe nuk kemi probleme. Kam një staf që punon ditë e natë për të qëndruar brenda parametrave të lejueshme. Në vend që të mendoni për këtë, shkoni më mirë konsumoni ndonjë kafe, sepse ne jemi në rregull”, shprehet me doza ironie presidenti i Paris SG.

Top Channel