Alpinistët shqiptarë, serbë e maqedonas, në majën e Elbrusit

14/07/2017 00:00

Flamuri shqiptar u valëvit këtë javë në majën më të lartë të Europës, në malin “Elbrus” në Rusi, në lartësinë 5.642 metra.

Një ekspeditë e përbërë nga alpinistë shqiptarë, serbë dhe maqedonas finalizoi me sukses arritjen mbresëlënëse, pas një ngjitjeje sakrifice të kushtëzuar nga i ftohti ekstrem dhe stuhitë e borës.

Ekspedita ishte e përbërë nga 18 anëtarë dhe sfida e ngjitjes u realizua në dy faza dhe dy lartësi. Faza e parë e aklimatizimit filloi në shtetin e Gjeorgjisë, me majën “Kazbeg” me lartësi 5.033 metra, përmes akullnajave të rrezikshme. Këto gjithsesi nuk e frenuan dëshirën e amatorëve të sportit ekstrem për të vijuar misionin.

Ngjitja në majën “Elbrus” u karakterizua nga shtigje të pjerrëta dhe temperaturat që arritën deri në -30 gradë Celsius. Era që kalonte shpejtësinë 50 km/h dhe dendësia e ulët e oksigjenit i sfilitën alpinistët, por pas shumë orësh mbi akuj u finalizua misioni, me ngjitjen në majën “Elbrus”.

Alpinistët elbasanas kanë kryer në janar të vitit 2016 edhe ngjitjen në majën më të lartë të Afrikës, Kilimanxharo.

Top Channel