Yjet e “Bollywood” zbarkojnë në Nju Jork

14/07/2017 00:00

Yjet e “Bollywood” kanë pushtuar sheshin “Times Square” të Nju Jorkut, në çeljen e ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Akademisë indiane të Filmit për këtë vit.

Aktore si Shahid Kapoor, Varun Dhawan dhe Nehia Dhupia zbarkuan në Manhattan, ku janë takuar me adhuruesit e tyre, përpara se kremtimet 3-ditore të kinemasë hindu të marrin udhë në stadiumin “MetLife” të Nju Xhersit.

Fansat ishin në qiellin e shtatë.

“I adhuroj këta yje, i ndjekim me shumë kënaqësi filmat e tyre. Filmat indianë dua të them, prandaj edhe jemi këtu”, tha Beljinber Jubge, qytetare kanadeze.

“Ah, Bollywood! Unë jam rritur në Indi, e shihnim përherë. Më pëlqejnë veshjet, kërcimet, filmat i kanë të mirë vërtet”, tha Ramin Khanda, qytetar kanadez.

“Është mjaft këndshëm. Ka muzikë shumë, ka kërcim. Është diçka që lidhet me kulturën e vendit. Jemi nostalgjikë shumicën e kohës, ndaj dhe i ndjekim vazhdimisht filmat e tyre”, tha Akankasha Reane, banore e Nju Jorkut.

Disa prej aktorëve që u shfaqën në “Times Square” janë të nominuar në ceremoni. Shahid Kapoor kandidon për “performancën më të mirë” në një rol kryesor, ndërsa Disha Patani shpreson të fitojë garën e “aktores më të mirë joprotagoniste”.

Ndarja e çmimeve do të zhvillohet të dielën më 15 korrik. Kjo është hera e parë që ceremonia organizohet në zonën e Nju Jorkut, pasi është mbajtur më parë në Londër, Johannesburg, Dubai e qytete të tjera.

Top Channel