Mungesa në treg, Nevada kërkon hashash

13/07/2017 00:00

Duke qenë se ka mungesë të marijuanës në tregje, autoritetet në Nevada po e mendojnë seriozisht marrjen e masave emergjente!

Kërkesa për kanabis ka qenë shumë e lartë në shtetin amerikan që prej 1 korrikut, kur u legalizua përdorimi personal i tij.

Ligji i ri i jep grosistëve të pijeve alkoolike të drejtën e shpërndarjes, por “shumica e tyre nuk i përmbushin kriteret e licencimit”, sqarojnë burime të Departamentit të Taksave në Nevada, i njëjti organizëm që doli me deklaratën e situatës së jashtëzakonshme, gjë që lejon aprovimin e masave shtesë për të përballuar mungesën e lëndës narkotike në treg.

Një pjesë e medieve vendase e kanë trajtuar problemin me humor. “Nevada ka një problem me drogën, – shkruan “Los Angeles Times”. – Nuk ka mjaftueshëm!”

Zyrtarët e pranojnë se nuk ua ka marë mendja, që kërkesa do të ishte në nivele të tilla.

“Papritur gjen përpara derës 1.000 vetë dhe nuk di çfarë të bësh”, thotë një prej të licencuarve, Al Fasano, bashkëthemelues i “Las Vegas ReLeaf”. “Jemi detyruar t’u themi njerëzve se produkti që disponojmë është i limituar në sasi”, shton ai.

Shoqata “Nevada Dispensary Association” llogarit se, vetëm në 4 ditët e para pas legalizimit, shitjet e marijuanës mbërritën në nivelin e 3 milionë dollarëve, e të ardhurat nga taksat ishin një milion dollarë.

Duke ndjekur shembullin e Kolorados, Oregonit, Uashingtonit dhe Alaskës, Nevada votoi në favor të përdorimit vetjak të marijuanës në muajin nëntor. Përdorimi mjekësor i kësaj bime lejohet në 25 shtete amerikane.

Top Channel