Sfida moldave, Kukësi luan sot me Sheriff Tiraspol

12/07/2017 00:00

Kukësi do të zbresë sot në fushë përballë Sheriff Tiraspol në Moldavi, ndeshje e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Champions League.

Përpara mbërritjes deri te kjo ndeshje, skuadra e Kukësit është dyshuar për herë të parë për shitje ndeshjesh nga kompania e monitorimit “Federbet”, për disa ndeshje miqësore të zhvilluara gjatë fazës përgatitore në Austri.

Akuzat kanë degjeneruar më pas me thërritjen e të gjithë skuadrës në polici, ku i janë sekuestruar edhe telefonat pas deponimit. Trajneri Gjoka ka sqaruar për herë të parë për Top Channel, gjithçka ndodhi në ato orë persekutimi.

“Me të mbërrtitur në Vjenë na thërritën në polici, na morën në pyetje, sepse na thanë që na kanë akuzuar për shitje ndeshjesh. Më pas na bllokuan celularët dhe aty, djemtë e skuadrës u revoltuan. Pritëm deri sa erdhi ambasadori me një avokat, i cili na tha se nuk kishim zgjidhje tjetër, duhej të bindeshim. I lamë celularët aty. Na u duk sikur na morën dinjitetin. Ne nuk dimë çfarë ndodh jashtë fushës, ne shohim vetëm çfarë bëhet brenda fushës së lojës”, tha Ernest Gjoka.

Një situatë e tillë nuk ka kaluar pa probleme nga ana psikologjike për skuadrën, e cila gjithsesi duket e gatshme për ndeshjen e sotme.

“Do të përpiqemi të bëjmë një lojë të kujdesshme. Këdo janë ndeshje me dy takime, e për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm. Skuadra është përgatitur mirë dhe shpresoj shumë që të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Përballja mes Sheriff Tiraspol dhe Kukësit do të luhet mbrëmjen e sotme, në orën 19:00, në Moldavi, ndërkonë që ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave.

Top Channel