Instalacion me peshq të gjallë

10/07/2017 00:00

Plot 8.000 peshq të artë dhe krijesa të tjera deti, për të sjellë në jetë një instalacion artistik në Tokio. Artisti Hidetomo Kimura shpreson që ajo e tij të jetë një vepër e gjallë.

Duke kombinuar lëvizjet elegante të peshqve me dritën, projeksionet në sfond, muzikën dhe dizajnin joshës të akuariumeve shumëngjyrëshe, ai kërkon t’i zhysë shikuesit në një pallat të mirëfilltë nënujor.

“Desha të krijoj një instalacion artistik që ka jetë, duke përdorur peshq të vërtetë në vend të pëlhurave apo fotografive. Në këtë ekspozitë bashkohet akuariumi me artin”, tha Hidetomo Kimura, artist.

Një nga pjesët e instalacionit i vendos peshqit përpara një ekrani të bardhë LCD, duke krijuar iluzionin e një pikture të stilit të vjetër japonez, të realizuar me bojë.

“Art Aquarium” po kremton 10-vjetorin e krijimit, që nga viti 2007. Përgjatë viteve, tematika e prezantimeve të tij ka qenë e ndryshme, por të gjithë seritë janë shfaqur në Japoni e jashtë saj, si dhe tërheqin çdo vit me miliona vizitorë.

Top Channel