Tirana pret Makabin, Ze Maria: Besoj në mrekulli

05/07/2017 00:00

Tirana ka përfunduar përgatitjet në “Skënder Halili” për ndeshjen e kthimit ndaj Makabit të Tel Avivit e vlefshme për raundin e parë eliminator të kupës Europa League.

Bardheblutë duken gati për të tentuar përmbysjen pas humbjes së ndeshjes së parë 2-0 në Tel Aviv. Për këtë arsye trajneri Ze Maria ka theksuar se beson në mrekulli.

“Ne e respektojmë Makabin pasi e meritojnë, por nuk kemi frikë të luajmë kundër tyre. Janë dy gjëra të ndryshme, por ne e dimë se çfarë mund të arrijmë. Ne mund t’i mundim ata. Unë besoj në mrekulli”, u shpreh trajneri i Tiranës, Ze Maria.

I bindur se do të japin maksimumin dhe se te loja e Tiranës ka ndryshuar diçka, ka qenë edhe kapiteni Erando Karabeci.

“E rëndësishme është që ne të tentojmë përmbysjen. E rëndësishme është që ne të japim maksimumin tonë, por ajo që ndodh më pas mbetet për t’u parë. Ne duhet të japim më shumë se 100 përqind”, tha kapiteni i Tiranës Erando Karabeci.

Ndërkohë që Makabi ka zhvilluar stërvitjen në “Selman Stërmasi” në orën 17:00 nën masa të rrepta sigurie.

Stadiumi ka qenë i rrethuar nga policia në pjesën e jashtme në një rreze të konsiderueshme. Ndeshja mes Tiranës dhe Makabi Tel Avivit do të zhvillohet ditën e enjte në orën 17:00 në “Selman Stërmasi”, duke qenë se ky stadium nuk plotëson kushtet e ndriçimit që kjo ndeshje të zhvillohet në mbrëmje.

Top Channel