Hamilton nuk e miraton faljen e Vettel

05/07/2017 00:00

Incidenti në garën e Bakut mes Sebastian Vettel e Lewis Hamilton u mbyll për pilotin gjerman, por jo për britanikun.

Edhe pse nuk ka bërë asnjë koment zyrtar pas vendimit të FIA, Hamilton e ka gjetur mënyrën për të shprehur pakqnaqësinë e tij për faktin që organizmi më i lartë i garave automobilistike e fali 4 herë kampionin e botës: duke bërë “like” në postimin e një prej tifozëve të tij në rrjetet sociale.

“E humba të gjithë respektin për FIA-n, Ferrarin dhe Sebastian Vettel pas vendimit. Duket se çfarëdo që të bësh në pistë, mjafton të kërkosh falje dhe e kalon kollaj situatën. Nëse do ta kishte bërë Lewis veprimin e Vettel, FIA do ta kishte skualifikuar, gjobitur dhe do t’i kishte hequr pikë nga klasifikimi. FIA si gjithnjë është në favor të Ferrarit”, shkruante admiruesi i Hamilton në Instagram.

Fjalë këto me shumë peshë që kanë gjetur padyshim miratimin e Hamilton edhe pse në mënyrë indirekte.

Gara e radhës e Formula 1 do të jetë këtë fundjavë në Austri dhe tashmë situata duket se është ndezur mes dy pretendentëve për titullin kampion.

Top Channel