Adele anulon koncertet në “Wembley”

01/07/2017 00:00

Adele është detyruar të anulojë dy spektaklet finale të turneut të saj botëror, pas dëmtimit të kordave të zërit.

Këshillat e mjekëve e kanë shtrënguar këngëtaren të shmangë daljen në skenë, për sa kohë është në këtë gjendje.

Zemërthyer, 29-vjeçarja i ka kërkuar ndjesë fansave të saj, e në postimin në Twitter, ku njoftonte anulimin e koncerteve që duhej të mbaheshin këtë fundjavë në stadiumin “Wembley” të Londrës, i quan dy spektaklet e mëhershme atje si më të mëdhatë e më të mirat në të gjithë jetën e vet.

Performanca në “Wembley” të shtunën dhe të dielën ishte pritur me padurim. Pavarësisht problemeve me zërin, interpretimet që beri më 28 dhe 29 korrik u pritën shumë mirë nga kritika.

“The Guardian” e përshkruante si “instiktivisht karizmatike”; “Times” e konsideron mbresëlënëse; ndërsa për “The Telegraph”, Adele është “tmerrësisht e natyrshme në skenë”.

Nga sa shpjegon ajo vet në Twitter, e ka sforcuar zërin më shume se zakonisht, e kjo ka sjellë për pasojë dëmtimin e kordave. “Vendosa të ndjek këshillën e mjekëve specialistë e të mos performoj këtë fundjavë”, sqaroi këngëtarja.

“Thjesht nuk do të doja që të shkërmoqesha aty në syrin tuaj, e të ikja dhe ta lija koncertin përgjysmë”, vazhdon ajo.

Tejet e sinqertë në pohimin e saj, 29-vjeçarja tregon se ishte aq e dëshpëruar që të mos i zhgënjente fansat e vet, sa kishte menduar që në dy shfaqjet e fundit të mos këndonte “live”.

“Por nuk e kam bërë kurrë një gjë të tillë, – shton më tej, – dhe nuk do t’iua bëja ndjekësve të mi as në një milion vite. Nuk do të isha unë pastaj në atë skenë”.

Kjo nuk është hera e parë, që Adele ka pasur probleme me kordat zanore. Në vitin 2011, ajo u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një polipi beninj.

Top Channel