Kroaci, Modriç akuzohet për dëshmi të rreme

20/06/2017 00:00

Cristiano Ronaldo nuk është i vetmi lojtar i Realit të Madridit, që është në telashe me drejtësinë. Probleme ka edhe Luka Modriç, për të cilin Prokuroria në Kroaci ka nisur hetimet për dhënien e një dëshmie të rreme gjatë një procesi gjyqësor, lajm që u konfirmua nga vet ky institucion.

Drejtuesit e Prokurorisë kroate nuk e përmendën emrin e futbollistit, për shkak të procedurës standarde të hetimeve, por përshkrimi i bërë prej tyre përputhet plotësisht me Modriçin. Edhe sipas medias vendase, futbollisti kroat që është në qendër të këtyre hetimeve është pikërisht mesfushori i Realit të Madridit.

Luca Modriç dëshmoi javën e kaluar në gjyqin ndaj një zyrtari të organeve tatimore dhe 3 zyrtarëve të lartë të klubit të Dinamos së Zagrebit, mes të cilëve ishte edhe shefi ekzekutiv, Zdravko Mamiç, të cilët rezultojnë se kanë kryer evazion fiskal prej 1.84 milionë dollarësh.

Por telashet për Modriç nuk ndalen këtu. Futbollisti kroat është vënë në qendër të hetimeve edhe në Spanjë për evazion fiskal. Ndërsa Ronaldo ka krijuar shoqëri në Ishujt Virxhin dhe Irlandë, për të kaluar të ardhurat nga të drejtat e imazhit, kroati ka preferuar Luksemburgun, një vend ku taksa mbi të ardhurat e përfituara nga e drejta e imazhit është vetëm 10%.

Top Channel