Atletika në Oslo, De Grasse fiton 100 m. Skualifikohet Schippers

16/06/2017 00:00

Andre De Grasse është fituesi i garës së 100 metrave në “Diamond League” të Oslos. Sprintieri kanadez arriti të triumfojë në këtë disiplinë me 10.01 sekonda, që përbën edhe kohën e tij më të  mirë për vitin 2017.

Në vendin e dytë u rendit britaniku Chijindu Ujah, ndërsa vendi i tretë ishte për atletin nga Bregu i Fildishtë, Ben Youssef Meite.

Ajo që zhënjeu në ndalesën norvegjeze të “Diamond League” ishte Dafne Schippers, në garën 200 m. Holandezja, fituese e kësaj gare në Romë, u skualifikua për shkak të nisjes së gabuar të garës. E vërteta është se Schippers u lejua të garojë pas protestave të saj dhe u rendit e para, por ky rezultat nuk pati vlerë, pasi starti i gabuar i saj u mor parasysh nga gjyqtarët, që morën vendimin për ta anuluar këtë sukses të holandezes.

Në 400 m me pengesa për meshkuj, kampioni olimpik Kerron Clement zhgënjeu totalisht me paraqitjen e tij. Amerikani gaboi në pengesën e fundit të garës, duke u renditur në vendin e fundit, ndërkohë që fitorja i shkoi Warholm me 48.25 sekonda, me norvegjezin që vendosi rekord kombëtar.

Në kërcim së larti, atleti nga Katari, Barshim vendosi një rkord të ri të mitingut, që rezistonte prej 27 vitesh. 25-vjeçari fitoi garën duke kapërcyer lartësinë prej 2.38 m.

Top Channel