Kosovë, zgjedhjet në Leposaviç nën masa të rrepta policore

11/06/2017 00:00

Leposaviçi në veri të Kosovës është qyteti i vetëm, ku zgjedhjet e jashtëzakonshme u zhvilluan nën masat e rrepta të sigurisë.

Aty, njësitë policore kanë qenë edhe për shkak të kërcënimeve para zgjedhjeve të partive serbe mes tyre. Por vendbanimet serbe janë ato që prijnë në numrin e votuesve të interesuar për të votuar, më shume sesa në ato shqiptare.

Janë regjistruar disa raste të fotografimeve të votave dhe flitet për manipulime. KQZ-ja nuk ka ende të konfirmuara të gjitha parregullsitë.

“Nuk kemi ndonjë problem tejet serioz që të na jetë raportuar, por ne jemi të fokusuar dhe presim që gjatë ditës së sotme gjithkush që ka shqetësime apo çështje për të raportuar, ta bëjë këtë, qoftë te KQZ, qoftë në Prokurori”, tha Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Ajo nuk i ka konfirmuar, por as mohuar parregullsitë në veri.

“Nuk do të tolerojmë asnjë presion apo rast dhune ndaj votuesve, ndaj qytetarëve me të drejtë vote, ndaj kandidatëve të subjekteve politike. Natyrisht që kjo është edhe vepër penale dhe të gjithë ata që ndihen nën presion të mundshëm, apo detyrohen që të votojnë në një mënyrë, janë me siguri shumë të lirë që ta denoncojnë këtë në organet kompetente”, deklaroi më tej Valdete Daka.

KQZ-ja mund ta ripërsërisë votimin, në rast se numri i parregullsive cënon procesin zgjedhor.

Top Channel