Arrestohet vrasësi i Cukut. Hetimet: Mikel Shallari, ekzekutori

11/06/2017 00:00

Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka arrestuar ekzekutorin e dyshuar të ish-komisarit të Policisë, Artan Cuku, ngjarje kjo e ndodhur në prill të këtij viti, në hyrjen e pallatit ku banonte i ndjeri.

Emrin e atentatorit dhe provat e mbledhura ndaj tij i ka bërë publike vet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

“Autori i dyshuar i vrasjes së ish-oficerit të policisë është Mikel Edmond Shallari, i vitlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në “Qytetin Studenti” të Tiranës. Roli i Mikel Shallarit është ekzekutor në këtë ngjarje. Dyshohet se ka edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë, të shpallur në kërkim, roli i të cilëve do të përcaktohet më vonë”, tha Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Por, edhe pse janë të bindur mbi autorësinë e kësaj ngjarjeje, ende nuk ka të dhëna mbi motivet apo porositësit e këtij krimi. Prokurori i çështjes ka dhënë këtë përgjigje:

“Nuk i dimë ende motivet. Dimë që këmbëzën e ka shkrehur Shallari, por nëse është ky edhe ideatori, këtë nuk mund ta themi për momentin”, tha Henrik Ligori, prokuror i çështjes.

Sipas prokurorit, Shallari, i cili dyshohet si vrasës me pagesë, nuk e ka pranuar përfshirjen në këtë ngjarje, edhe pse Prokuroria i ka ofruar bashkëpunim dhe lehtësira për të treguar porositësit.

Nga hetimet dyshohet se Shallari nuk ka qenë i vetëm në këtë krim dhe hetimet po vijojnë me gjetjen dhe ndalimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Pas arrestimit të Mikel Shallarit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili ka përgëzuar forcat e policisë dhe bashkëpunimin me Prokurorinë.

Top Channel