Rama: Kërkoj mandat të plotë. Pakti me PD, hyjmë në një fazë të re

05/06/2017 00:00

Takimi i kësaj të hëne me “Top Story” është zhvendosur në Berat, për shkak të fushatës dhe angazhimeve të kryeministrit Edi Rama. Në intervistën për gazetarin Sokol Balla, Rama ka folur për pritshmëritë e PS për zgjedhjet e 25 qershorit, paktin me PD dhe marrëdhënien me ish-partnerin e tij të koalicionit, Ilir Meta.

Edi Rama kërkon të marrë mandat të plotë për të qeverisur i pakushtëzuar nga partitë e vogla. Rama foli për LSI dhe tha se ai e dëshironte koalicionin me të, por LSI ishte e ngurtë. Rama komentoi deklaratat e fundit të Metës dhe tha se ato nuk i shkojnë një Presidenti të zgjedhur.

Intervista e plotë:

Sokol Balla: Zoti Kryeministër mirëmbrëma.

Edi Rama: Mirëmbrëma.

Sokol Balla: Këtu në Berat duket një fushatë totalisht e qetë… Vihet re dhe një prani e theksuar e turistëve.

Edi Rama: Ka një rritje të vazhdueshme të vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj. E ka këtë fuqi Rilindja Urbane. Tani, sfida është të zgjerojmë hartën dhe të krijojmë mundësi që turistët të shfrytëzojnë të gjithë atë, nga hyrja e Beratit, tek kanionet e Skraprarit.

Sokol Blla: Do të kemi mundësi të flasim për këtë tek pjesa e programit. Paradoksalisht, krahas toneve të qeta me PD janë ashpërsuar ato mes PS dhe LSI, meqenëse jemi edhe në Berat, që është fortesa e LSI. Përse?

Edi Rama: Është një garë reale dhe unë parashikoj që do të shkojë duke u intensifikuar dhe do të bëhet një garë intensive, mbase edhe pak e tensionuar pasi jemi të gjithë në kërkim të një mandati, dikush për të dalë forcë e parë. Për ne forca e parë është jashtë dsikutimit. Qëllimi për ne është një mandat i plotë që të kemi timonin nën kontroll dhe të mos lejojmë lëvizjen e timonit herë pas here nga ata që janë bashkudhëtarët tanë të deritanishëm.

Sokol Balla: Çfarë ndodhi? Në katër vjet LSI ishte partneri strategjik dhe raporti juaj me Metën u duke se përjetoi kulmin kur e propozuat dhe zgjodhët president atë?

Edi Rama: Kemi patur një koalicion shumë të dobishëm për vendin, në një fazë kur duheshin reforma që kërkonin fuqi dhe vendomsëri e që nuk duheshin përdorur nga lodrat e numrave. Kam qenë i bindur që duhej ndërtuar një partneritet strategjik afatgjatë. Të gjitha përpjekjet e mia për të mbyllur formulën e koalicionit në kohë nuk ishin të suksesshme. LSI pati një qasje taktike dhe jo strategjike ndaj koalicionit, duke pritur momentin e fundit. Në momentin  e fundit gjërat erdhën ashtu si erdhën dhe jemi këtu për të matur forcat. Unë u them shqiptarëve që të më ndihmojnë me një mandat të plotë për të bërë shumëfishin e asaj që kemi bërë deri më tani. Faza e dytë kërkon disa qasje radikale, sidomos në raport me përmbajtjen e administratës shtetërore, që është e molepsur nga interesat e partive që e kanë penguar që të jetë korrekte, dinjitoze dhe që u shërben qytetarëve.

Sokol Balla: I referoheni LSI-së këtu?

Edi Rama: Ky është sistemi që është ndërtuar dhe që unë mendoj që duhet ta shkallmojmë dhe për këtë arsye shqiptarët duhet të kuptojnë se vota më 25 qershor ka shumë rëndësi. Kjo është një histori e përsëritur.

Sokol Balla: Kjo nuk jep garanci që PS nuk do të bëjë të njëjtën gjë

Edi Rama: PS ka qenë garante e shumë gjërave që kanë ndodhur, është garante e ligjit të shërbimit civil. Ne kemi administratën publike që mbrohen me ligj dhe aty është shumë herë më e vështirë që të penetrojnë partitë, por kemi edhe zyra që kanë të bëjnë me shërbime të drejtëpërdretja me qytetarët, ku shumë punonjësve u duhet të pajisen me tesera partie, ose të largohen nga puna për shkak se nuk pranojnë të ndërrojnë parti, si në Berat për shembull, ku ka ndodhur në më shumë se një herë. Ne duhet të shtrihemni në gjithë sistemin, me një reformë që të ndajë shtetin nga partitë.

Sokol Balla: Ju thatë që afatet kaluan, por me marrëveshjen që bëtë me PD i dhatë mundësi asaj që të gjejë një formulë bashkëpunimi me aleatët e saj, por nuk ja dhatë këtë aleatit tuaj, LSI dhe aleatëve të tjerë të vegjël, që ju kanë qëndruar besnik

Edi Rama: PD bëri një zgjedhje tjetër. Përfitoi edhe nga një qëndrim krejtësisht karrigofag i aleatëve të saj, si Dule që barktisi karrigen e vetë për t’u futur në Parlament. Sa na takon neve, ne jemi në kushtet e paracaktuara nga mënyra si erdhi situata.

Sokol Balla: Nuk kishte asgjë të qëllimshme?

Edi Rama: Nuk pati asgjë të qëllimshme. Është koha për të luftuar së bashku një sëmundje të rënduar në vite për shkak të partive të vogla që shfaqen si forca për lulëzimin e demokracisë dhe në fakt janë forca që kalbëzojnë sistemin, duke kërpudhëzuar sistemin në bahçen e shtetit.

Sokol Balla: Të flasim për numrin 71. Në fletën e votimit LSI është e para, çfarë do të ndodhë nëse do të keni nevojë për aleatë?

Edi Rama: Këtë e vendosin njerëzit. Do të lexojmë votën dhe do të shikojmë nëse do të na japin përgjegjësi të plotë, apo do të na thonë se do ta shpërndajnë përgjegjësinë. Atëherë do të shikojmë dhe bëjmë të gjithë strategjinë tonë. Sot kërkojmë nga njerëzit jo më shumë sesa pushtet për vete, se të ishte kështu ne sot do të ishim pa kundërshtarë dhe do të merrnim 100 mandate më 18 qershor.

Sokol Balla: Kur bëtë ndryshimet e 4 ministrave ju pyeta sa i sigurt jeni për aleancën me LSI, më keni thënë 10

Edi Rama: Unë kam ngritur duart dhe nuk e kam thënë 10-n. Unë kam qenë deri në fund për koalicionin. LSI ka qenë e ngurtë në këtë, pastaj krijoi një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën.

Sokol Balla: Pra, po thoni që pas çadrës ka qenë edhe LSI?

Edi Rama: Jo, nuk e them këtë. LSI është përpjekur që të dalë e treta e vërteta. Ne kemi të gjithë sot të drejtën që të kërkojmë nga njerëzit atë që mendojmë që na takon. LSI thotë që do të dalë forcë e parë, PD do të bëjë Republikën e re, ne e themi shumë thjeshtë: na gjykoni për gjithçka që kemi bërë, që është prova që jemi të vetmit që mund të bëjmë shtet dhe të çojmë përpara këtë punë.

Sokol Balla: Ju e keni quajtur për vite me radhë partner strategjik LSI-në, por LSI është kundër reformës në arsim, nuk e ka pranuar kurrë shëndetësinë falas, taksën progresive, ka patur një sjellje skrupuloze për reformën në drejtësi dhe për dështimet ju ka bërë përgjegjës juve. Të gjitha gjërat që thoni në këtë fushatë tregojnë se ka përfunduar partneriteti mes PS dhe LSI?

Edi Rama: Mund ta themi ndryshe, pavarësisht se këto janë të vërteta. E vërteta është që koalicioni ynë ka arritur sukses për disa reforma, që përndryshe nuk do të bësheshin. Jemi në një fazë që ka kaluar. Jemi në momentin kur ballafaqohemi me njerëzit dhe tani duhet të ndërtohet shteti europian i shqiptarëve. Kemi një mundësi historike edhe falë marrëveshjes së bërë me PD politika do të hyjë në një fazë të re dhe të bëhemi një shtet serioz e dinjotoz. Ne jemi gati të marrim këtë përgjegjësi, por duhet të na e besojnë njerëzit. Shqiptarët kanë një mundësi të jashtëzakonshme.

Sokol Balla: Po Spartak Braho ku llogaritet kësaj radhe?

Edi Rama: Spartak Braho është një urë mes PS dhe LSI sepse është një socialist që ka hyrë gjithmonë me PS në Parlament dhe asnjëherë me LSI-në.

Sokol Balla: Ilir Meta ju sulmoi juve dhe zotin Basha dhe tha se nuk u tremb nga Berisha, jo më nga “Tomi dhe Xherri”. Keni një koment për këtë?

Edi Rama: Nuk e di sa i shkon një presidenti të zgjedhur kjo, por unë e mirëkuptoj dhe pajtohem me këtë. Nuk mendoj që i shkon të merret me filma të animuar, por e mirëkuptoj.

Sokol Balla: I shkon një presidenti nga pikëpamja etike që të marrë pjesë në fushatë?

Edi Rama: Ai nuk është akoma president i ngarkuar për të mbrojtur unitetin kombëtar. Është president i zgjedhur. Unë nuk do ta bëja, por është zgjedhja e tij.

Sokol Balla: Zoti Rama, u duket rastësi që edhe PD po sulmon partinë e Metës?

Edi Rama: Kjo është çështja e tyre, nuk është problemi im. PD është në një fushatë të dëshpëruar dhe mesa unë arrij të kuptoj ky është fundi i një cikli për PD. Përpjekja për të paraqitur në këtë fushatë vizionin e një republike të re, me një program që me një llogari të thejshtë do ta çonte borxhin mbi 100 për qind dhe me 5 skuadra që në 5 qarqe që nuk kanë asnjë grua, tregon se PD u thotë grave dhe vajzave në këto qarqe që në republikën e re nuk ka vend për t’ju përfaqësuar. Kjo është dramatike. Pas gjithë atyre hapave që janë hedhur në drejtim të barazisë dhe pasi kemi një ligj për këtë kemi një parti që pretendon republikën e re dhe ha pesë gjoba për këtë.

Sokol Balla: Kjo tregon se ju keni reflektuar? Se mund të kujtojmë rastin e Lezhës, ku një grua iku se u bë ministre, një tjetër iku dhe më pas erdhi një person që rezultoi me precedentë kriminalë

Edi Rama: Nuk është këtu puna, këtu është fjala për barazinë. Kam një bindje se gratë dhe vazjat duhet të respektohen njësoj si burrat.

Sokol Balla: Me marrëveshjen e 17-18 majit, me reformat që keni rënë dakord, në fakt ju keni firmosur fundin e republikës së vjetër. Vetë e keni firmosur fundin e një kushtetute.

Edi Rama: Ka një marrëveshje për të realizuar një aspekt shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me zgjedhjet dhe proceset zgjedhore.

Sokol Balla: A ka propozuar Basha sistemin mazhoritar, apo primarin dhe ka hasur në kundërshtimin tuaj?

Edi Rama: Jo, kemi diskutuar vetëm domosdoshmërinë që të hyjmë në një reformë zgjedhore që të zgjidhë shumë aspekte që kanë mbetur arsye për mosdakordësi rrugës, duke nisur nga depolitizimi i plotë i komisioneve zgjedhore.

Sokol Balla: A mund të quhet PD partneri i ri strategjik për bërjen e këtyre reformave?

Edi Rama: Besojmë që të arrijmë të bëjmë atë që kanë bërë vendet që janë integruar në BE. Të kemi dy tryeza, një e kundërshtisë mes qeverisë dhe opozitës dhe një tryezë të shqiptarëve dhe integrimit, ku qeveria dhe opozita të jenë bashkë. Dhe aspekti i marrëveshjes që bën të mundur distancimin e shëndetshëm të politikës shqiptare nga një histori e tmerrshme konfliktesh është një moment që nëse realizohet do të jetë një hap historik për Shqipërinë.

Sokol Balla: Lulzim Basha përjashtoi mundësinë e koalicionit të madh, përjashtoi edhe koalicionin me Metën. Përtej asaj që do të dëshironit, 71 mandate, do të përjashtonit çdo koalicioon me PD pas zgjedhjeve?

Edi Rama: Dua të lexoj në vendimin e sovranit. Është populli që do të vendosë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. Të gjithë jemi të fokusuar për të qenë të hapur me njerëzit. Kemi bërë edhe ne gabimet tona, por në këto 44 muaj kemi provuar që po mundohemi të bëjmë gjëra që të bëjmë shtet. Ne jemi të parët, besoj që nga viti 1991, që e kemi nisur qeverisjen me një vizion të qartë për vendin. Kemi ardhur me vonesë dhe në një moment mosbesimi të madh ndaj politikës. Ne duam përgjegjësinë jo për më shumë pushtet për vete, por për të patur mundësinë për të mos u justifikuar.

Sokol Balla: Po me LSI?

Edi Rama: LSI e ka kthyer në një ndërmarrje efiçente atë që të gjitha partitë e vogla përpiqen të bëjnë. Të gjitha partitë e vogla këtë përpiqen të bëjnë.

Sokol Balla: Kjo është arsyeja që u shkarkua drejtori i postës i LSI?

Edi Rama: Kam parë shkarkime edhe të atyre që janë të PS. Nëse ka një gjë pozitive e të jashtëzakonshme në këtë fushatë, është fakti që askush të nesërmen e zgjedhjeve nuk mund të dalë të thotë që m’i vodhën e të tjera. Ka një moment ku kemi ekzagjerime, por po bëhet një fushatë si asnjëherë tjetër, një fushatë që ka hapësirë për njeriun që të marrë frymë lirisht dhe të mos ndjehet sikur është në luftë.

Sokol Balla: Marrëveshja po funksionon tani?

Edi Rama: Ky ka qenë qëllimi! Njerëzit më thanë që lëshova shumë, por çfarë lëshova unë? Ministrat janë kujdestarë të zgjedhjeve dhe më 26 qershor, nëse ne fitojmë zgjedhjet janë jashtë qeverisë. Unë kam preferuar që në ditën që u krijua kjo, unë jam në fushatë dhe shkoj në zyrë vetëm një orë për të parë se çfarë kam për të vulosur dhe firmosur.

Sokol Balla: Fërkimet me LSI vijnë edhe për shkak të kësaj marrëveshjeje, por nëse sovrani flet dhe nuk ju jep 71 mandatet që ju kërkoni, a do ta merrni në konsideratë mundësinë që me LSI, PDIU, apo PD, në mënyrë të barabartë të krijoni një aleancë zgjedhore? Kjo, kur LSI është forcë e majtë, PDIU partner më i vogël dhe me PD keni një marrëveshje

Edi Rama: LSI nuk është forcë e majtë, është e majtë dhe e djathtë, e djathtë dhe e majtë.

Sokol Balla: Pra nuk e përjashtoni si mundësi?

Edi Rama: Nuk e mendoj fare këtë. Ne po shkojmë përpara sovranit me kërkesën që të na japin fuqinë që të bëjmë gjërat shumë më mirë në katër vitet e ardhshme. Duam të prekim palcën e administratës shtetërore të kancerizuar në këto 27 vite.

Sokol Balla: Ashtu siç e lexoj unë këtë, mund ta lexojnë edhe shumë të tjerë

Edi Rama: Ne u përgatitëm për zgjedhje. Isha në Elbasan për një takim dhe as që e mendoja se në darkë do të takoja Lulzim Bashën në takimin e thërritur nga 81 parti, që u mblodhën për të thënë që “të gjithë e duan demokracinë, Edi Rama jo”. Unë shkova atje me një qëllim të qartë, që të takohesha me Lulzim Bashën dhe të diskutoja vetëm me të.

Sokol Balla: Dhe befas doli çun i mirë

Edi Rama: Nëse PS nuk del forcë e parë, unë jap dorëheqjen nga Partia Socialiste. Nëse jemi forcë e parë pa fuqinë e forcës absolute dhe në të gjitha rastet, këtë e vendosin njerëzit.

Sokol Balla: Dhe befas doli çun i mirë…

Edi Rama: Nuk ka lidhje kjo. Rëndësi ka që sot jemi në fushatë dhe nëse PS nuk del forcë e parë, unë jap dorëheqjen nga Partia Socialiste, pra largohem nëse Petrit Vasili del forcë e parë.

Sokol Balla: Sa shanse do të kenë studentët që studojnë jashtë për të gjetur punë në Shqipëri?

Edi Rama: Ne jemi krahëhapur për studentë që duan të kthehen në Shqipëri, sidomos për mjekët që kemi një vakuum. Me shumë kënaqësi për të gjithë mjekët specializantë dhe mjekë që duan të rikthehen.

Sokol Balla: Keni premtuar që do të hapni 220 mijë vende të reja pune në këtë mandat, ndërkohë që na keni borxh 80 mijë vende të tjera borxh?

Edi Rama: Nuk ka asnjë qeveri që gjithçka që premton ta realizojë 100 përqind atë. Ajo që unë them është që ne kemi sot një bilanc shumë pozitiv sa i përket punësimit. Kemi 183 mijë vende të reja pune në sistemin tonë të pagesave dhe kontributeve. Kemi 38 mijë vende të lira pune, por nuk ka punëtorë të kualifikuar. Gropa e madhe e shumë e shumë viteve pa arsim profesional ka një kosto. Ekonomia që rritet me 3.5 përqind dhe qëllimi ynë është që të shkojmë përtej 5 përqindëshi dhe për këtë na duhet të fillojë zbatimi i reformës në drejtësi dhe ashtu siç luftuam për reformën dhe vettingun, ashtu do të luftojmë edhe për të rritur ekonominë dhe punësimin. Jemi të vetmit që mund ta përballojmë këtë provë, me të gjithë të tjerët është një eksperiment që na kthen prapa dhe do të prishen të gjitha themelet që kemi ndërtuar. Të tjerët nuk janë gati, janë shumë larg asaj që flasin.

Sokol Balla: Folët se nëse vijnë të tjerët do të shkatërrojnë policinë, arsimin e të tjera e të tjera…

Edi Rama: Jam i bindur për këtë. U them mësueseve, infermierëve dhe gjithë punonjësve që të bëjnë fushatë për Partinë Socialiste, jashtë orarit të punës. Rreziku është i madh, edhe duke mos na dhënë besimin e plotë.

Sokol Balla: Çfarë ndodhi mes jush dhe Shpëtim Idrizit?

Edi Rama: Nuk ka ndodhur asgjë. Partitë e vogla duan mandate për të marrë drejtori, duan drejtoritë për të rritur anëtarësinë dhe duan anëtarësinë për të rritur votat.

Sokol Balla: Kemi dy forca të reja këto zgjedhje, LIBRA-n e Ben Blushit dhe sfidën e Bojaxhiut.

Edi Rama: Ben Blushi është gënjeshtar dhe nuk merr dot përsipër një gjë e ta çojë atë deri në fund. Edhe partia tjetër, janë njësoj të gjitha duan mandate për të shantazhuar partitë e mëdha.

Sokol Balla: Thoni që bipartizmi është zgjidhja më e mirë për këtë vend?

Edi Rama: Unë jam i bindur për këtë. Unë i besoj asaj që thotë Gramoz Ruçi që dy parti janë pak dhe tre janë shumë për vendin tonë. 

Sokol Balla: Kur flisni edhe për faktin që kërkoni 71 vota vetëm, keni njëfarë sigurie edhe kur kritikoni LSI, PDIU dhe partitë e tjera.

Edi Rama: Tani jemi në fushatë dhe ambicia ime për Shqipërinë është shumë më e madhe sesa thjesht ambicia ime e kënaqur nga ana personale e të qënit Kryeminstër. U them njerëzve që të më ndihmojnë që të bëjmë shumë më tepër dhe të çlirojmë njerëzit nga shumë tensione, zvarritje dhe rryshfete që janë pjesë e një sistemi të administratës të kapur nga partitë që shantazhojnë.

Sokol Balla: Ka një projeksion PS se sa mandate merr?

Edi Rama: Ne kemi anketimet tona dhe vazhdojmë të bëjmë këtë. Shikojmë që ka një rritje të frymës, besimit dhe perceptim pozitiv të mesazhit dhe jam besimplotë që kjo është hera e fundit që emigrantët nuk votojnë nga aty ku janë. Jemi duke bërë regjistrat.

Sokol Balla: I druheni një vetoje greke për integrimin në BE?

Edi Rama: Me Greqinë jemi në një proces konstruktiv dialogu. Unë nuk tërhiqem, nuk jam Vangjel Dule. Vangjel Dule flet për interesat e minoritetit dhe partinë që përfaqësonte interesat e minoritetit e braktisi për t’u futur në listat e PD. Vangjel Dule kur u zgjodh Shpëtim Idrizi nënkryetar i Kuvendit iku dhe tha “që unë me një çam në të njëjtin vend, kurrë!” dhe sot është futur në listat e Saliut së bashku me një renegat të PDIU-së, Dashamir Tahiri.

Top Channel