“Roland Garros”, Djokoviç e Nadal, fitore të lehta

30/05/2017 00:00

Të mëdhenjtë e tenisit botëror nuk gabuan në ndeshjet e tyre të raundit të parë në “Roland Garros”. Novak Djokoviç u kualifikua, pasi mposhti Marcel Granollers me rezultatin 3-0.

Tenisti serb, që tashmë ka nisur punën me Andre Agassin, e kontrolloi ndeshjen nga fillimi deri në fundin e saj, duke i fituar setet me rezultatin 6-3, 6-4 dhe 6-2. Kundërshtari i radhës për Djokoviç do të jetë portugezi, Joao Sousa, i cili mundi Janko Tipsareviç me rezultatin 3-1.

Ndërsa Nadal, që luajti ndeshjen e tij të 75-të në “Roland Garros”, mundi me shumë lehtësi Benoit Paire, 3-0, duke i lejuar francezit që të fitojë vetëm 6 “game” për të mbyllur setet 6-1, 6-4 dhe 6-1.

Ishte pikërisht seti i dytë, ai ku Paire i hapi më shumë probleme Nadalit, por nuk ia doli dot përballë “mbretit” të fushave me dhè. Në raundin e dytë, Nadal do të luajë me holandezin Robin Haase, që fitoi ndaj australiant Alex De Minaur, 3-0.

Në kampin e femrave, Garbine Muguruza nuk pati asnjë problem në përballjen me italianen Schiavone. Tenistja spanjolle iu imponua kundërshtares së saj në ndeshjen e raundit të parë, teksa e mposhti me rezultatin 2-0, me sete 6-2 dhe 6-4.

Caroline Wozniacki vuajti më shumë në sfidën e saj me australianen Fourlis, të cilën e mposhti në 3 sete. Danezja fitoi setin e parë 6-4, por humbi të dytin 3-6. Në setin final, ish-numri 1 i botës u shfaq superiore për ta fituar atë 6-2, e krejt ndeshjen 2-1.

Top Channel