Haradinaj për kryeministër: Dialog me fqinjët, bashkëpunim me Tiranën

29/05/2017 00:00

Qyteti i verës dhe i prodhimeve të shumta, Rahoveci është kryeqyteti i bujqësisë në Kosovë. Ky është një prej vendeve që ka zgjedhur lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të përgagtitur fushatën në garën për kryeministër.

Aty kandidati i partive të njohura si koalicioni i liderëve të UÇK-së flet për ndihmën që do të kenë fermerët e këtushëm dhe të Kosovës. Haradinaj ka qenë një herë kryeministër, nga ku shkoi në Hagë.

Pas kthimit nga sfida e fundit me drejtësinë në Francë, tani sërish bën fushatë aktive. Për Top Channel ai thotë se Kosova ka nevoja bazike për të cilat do të kujdeset, pasi ka patur shumë ngecje.

“Kemi ngecje në ekonomi dhe është krijuar një distancë e pakuptimtë mes sipërmarrësve, fermerëve dhe të gjithë atyre që punojnë në Kosovë dhe qeverisë. Pra, duhet të krijojmë një lidhje të afërt me të gjithë ata që janë në punë dhe po ashtu duhet të lidhim njerëzit tanë në diasporë me punët që bëhen këtu. Këto janë çështje bazike që duhet trajtuar menjëherë”, deklaron Haradinaj.

Haradinaj thotë se dëshiron marrëdhënie të mira me fqinjët dhe dialog me Serbinë. Por, në fokus ka lidhjet mes shqiptarëve.

“Beogradi nuk ka rol në Kosovë, nuk vendos për Kosovën. Ne jemi për dialog me fqinjët dhe dëshirojmë të forcojmë shumë bashkëpunimin me Tiranën zyrtare. Dëshirojmë ta bëjmë këtë në të gjitha fushat e jetës, pra në çdo lëm të rrisim shkëmbimet. Atë që prasheh BE-ja, qarkullimin e lirë ose një frekuentim më të madh të ideve, njerëzve dhe të mallrave. Ne duam të fokusohemi pikërisht në këto parime të BE-së, kurse me Serbinë jemi fqinj dhe nëse ata respektojnë reciprocitetin do ta respektojmë edhe ne”, thotë Haradinaj.

Moto e fushatës së tij është se, ka ardhur koha për ta bërë Kosovën përfundimisht shtet, pa u etiketuar me fusnotën e Brukselit.

Top Channel