“Déjà vu” për Alonson. Honda e tradhton edhe në “Indy 500”

29/05/2017 00:00

Fernando Alonso përjetoi sërish makthin e Formulës 1, me makinën McLaren Honda. Piloti spanjoll u detyrua të braktisë garën e “Indianapolis 500”, ku ai deri tani kishte bërë një paraqitje shumë të mirë, për shkak të një problemi në motor, kur kishin mbetur edhe 21 xhiro nga përfundimi i garës.

Gjithçka ndodhi në momentin më të mirë për pilotin spanjoll, i cili arriti të kryesojë këtë garë për 27 xhiro, duke bërë të mendohet se ai po shënonte një fitore fantastike në debutimin e tij në këtë kompeticion.

Pavarësisht këtij incidenti, Alonso arriti të fitojë respektin e njerëzve dhe kjo u duk në momentin e largimit nga pista, kur 300 mijë personat e pranishëm u ngritën në këmbë për ta duartrokitur spanjollin, për paraqitjen e bërë prej tij.

Përsa i përket garës, ajo u fitua nga Takuma Sato, që u bë piloti i parë japonez që triumfon në pistën ovale të “Indianapolis 500”. Sato arriti të kalojë Castroneves kur kishin mbetur 5 xhiro nga përfundimi i garës dhe arriti të mbajë vendin e parë deri në fund.

Gara e këtij viti në Indianapolis shënoi edhe një incident të frikshëm, me protagonsit Scott Dixon. Piloti nga Zelanda e Re u përplas fort me Jay Hoëard në xhiron e 53-të, makina e të cilit fluturoi në ajër, por për fat të mirë pilotët nuk i vuajtën pasojat e tij. Komisarët e garës vendosën menjëherë ndërprerjen e garës, që zgjati për 30 minuta.

Top Channel