Kryesia e BDI-së pritet të vendosë sot për ekipin e ministrave, pas bisedimeve finalizuese të së premtes me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.

Po ashtu mësohet se edhe Aleanca për Shqiptarët do të propozojë emrat për ministra që do të jenë pjesë e kabinetit qeverisës. Jozyrtarisht mësohet se BDI do të caktojë Zv.kryeministër për Marrëveshjen e Ohrit, Hazbi Likën që ka fituar garën kundrejt Izet Mexhitit.

Zv.kryeministër për EuroIntegrime sipas mediave maqedonase do të jetë Bujar Osmani,  ndërsa Ministër i Drejtësisë Adnan Jashari. Bashkim Ahmeti po përflitet për postin e Ministrit të Ekologjisë, për të cilin është pretentendent  edhe Faton Ahmeti.

Ndërkaq Fatmir Besimi dhe Xhemail Elmazi po diskutohen për postin e ministrit të Ekonomisë.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev u takua të premten me Ali Ahmetin dhe Ziadin Selën në selinë e partisë së tij për t’u dakordësuar mbi detajet e fundit lidhur me përbërjen e re qeveritare. Lideri i BDI-së, Ahmeti u shpreh pas bisedimeve se ai dhe palët e tjera janë të interesuara të mbyllin sa më shpejt këtë kapitull,  e të formohet qeveria. 

Ndërkaq Zoran Zaev tha në përfundim të takimit se pavarësisht progresit të shënuar në bisedime nuk mund të konfirmonte nëse do të kishte marrëveshje për qeverinë me të katërta partitë pjesëmarrëse, LSDM, BDI, Besa dhe aleanca për shqiptarët. Megjithatë bisedimet po vazhdojnë e pritet të mbyllen të dielën.

Top Channel