Koreja e Veriut, tjetër test rakete balistike. SHBA: Sanksione më të ashpra

14/05/2017 00:00

Koreja e Veriut ka zhvilluar një tjetër test rakete balistike, vetëm pak ditë pasi në Jugun fqinj mori frerët e shtetit presidenti i ri me origjinë koreano-veriore. Zyrtarë japonezë thanë se raketa, e cila u lëshua nga qyteti veriperëndimor i Kusongut, arriti lartësinë prej 2.000 km.

Presidenti i ri i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili bëri fushatë pikërisht me një platformë që bënte thirrje për angazhim më pozitiv kundrejt Veriut, tha se ky veprim ishte thjesht një provokim.

Presidenti amerikan, Donald Trump bëri thirrje për “sanksione më të ashpra” ndaj Koresë së Veriut, ndërsa Kina vijoi të bënte thirrje për vetëpërmbajtje.

Një seri testesh raketore të Koresë së Veriut gjatë këtij viti, edhe pse të ndaluara nga Kombet e Bashkuara, kanë shkaktuar alarm dhe kanë rritur tensionet me Shtetet e Bashkuara.

Dy lëshime raketash gjatë muajit të fundit dështuan, me raketat që shpërthyen vetëm pak minuta nga lëshimi në fluturim.

Natyra e lëshimit të raketës së fundit është ende duke u përcaktuar, por analistët thonë veprimi i fundit tregon se këtë herë është testuar një pajisje me rreze më të gjatë veprimi nga herët e kaluara.

Ministria japoneze e Mbrojtjes tha se raketa fluturoi për rreth 30 minuta, përpara se të binte në ujërat e Detit të Japonisë dhe mund të rezultojë të jetë një tip i ri rakete.

Tomomi Inada tha se raketa kreu një distancë prej 700 km, duke arritur lartësinë e mbi 2.000 kilometrave, më lart sesa mund të arrihet nga një raketë me rreze të mesme veprimi, si ato të testuara nga Koreja e Veriut gjatë muajit shkurt.

Komanda amerikane e Paqësorit deklaroi se tipi i raketës është duke u vlerësuar, por fluturimi i saj nuk është i ngjashëm me atë të një rakete balistike ndërkontinentale, që do të kishte një rreze veprimi të aftë për të mbërritur deri në Amerikën kontinentale (më shumë se 6.000 km larg).

Koreja e Veriut besohet se po zhvillon dy lloje të reja të raketave balistike ndërkontinentale, megjithatë, asnjë prej tyre nuk është testuar deri më tani.

Ndërkohë, pasi zhvilloi një takim emergjent të Këshillit kombëtar të Sigurisë, Moon Jae-in dënoi lëshimin e fundit raketortë fqinjit verior, duke e quajtur atë një “provokim”.

“Presidenti tha se, ndërsa Koreja e Veriut mbetet e hapur ndaj mundësisë për dialog me Korenë e Veriut, kjo do të jetë e mundur vetëm kur Veriu i izoluar komunist të ndryshojë sjellje”, tha zëdhënësi i presidentit koreano-jugor.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Donald Trump “nuk mund të imagjinojë që Rusia është e gëzuar për këtë”, pasi raketa ra jo shumë larg territorit rus. Në deklaratë shtohet se, testi i fundit duhet të shërbejë si një thirrje për sanksione edhe më të ashpra ndaj Koresë së Veriut.

Një zëdhënës i Kremlinit reagoi më vonë, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin ishte shqetësuar nga testi i fundit. Kina, aleati kryesor i Koresë së Veriut, bëri thirrje për “vetëpërmbajtje” të të gjitha palëve pas testit të fundit.

Top Channel