Fëmijët e pashoqëruar në Britani, një në tetë është nga Shqipëria

13/05/2017 00:00

Në shkrimin me titull: “Harrojeni Sirinë dhe Irakun,  një ndër tetë fëmijë refugjatë të pashoqëruar që mbërrijnë në Britani janë nga Shqipëria, edhe pse vendi nuk është në gjendje lufte”, tabloidi britanik “Daily Mail”, thekson se 13 për qind e fëmijëve që kanë kërkuar azil nga numri total i atyre që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtar vijnë nga Shqipëria.

Vitin e kaluar nga afro 3200 kërkesa për azil nga fëmijët e pashoqëruar nga gjithë bota që kërkojnë azil në Britani, afërsisht 9 fëmijë në ditë, rreth 400 kërkesa janë nga fëmijët dhe minorenët e ardhur nga vendi ballkanik.

Në bazë të ligjeve britanike fëmijët minoren, nëse kërkojnë azil në Britani, përkujdesen nga shteti për strehim dhe arsimim deri sa mbushin në moshën madhore e nëse kërkesa e tyre për azil rezulton e pabazuar rikthehen në Shqipëri pasi mbushin 18 vjeç.

Gjatë fushatës elektorale në Britani, zyrtarët e qeverisë janë vënë nën presion se nuk kanë bërë sa duhet për të pranuar mijëra fëmijët të pashoqëruar nga familjar e që janë shpërndarë në mbarë Europën.

Megjithatë, kritikët theksojnë se këto shifra të fundit , kanë rritur shqetësimin se po abuzohet me sistemin e azilit. Gazeta citon David Davis, ministrin britanik të Brex-it, të ketë thënë se: “Shqipëria  nuk është një vend që ndodhë në gjendje lufte dhe nuk është e qartë se përse njerëzit nga ai vend kanë nevojë për azil”.

Arsyet  se përse njerëzit  mund të largohen nga Shqipëria përfshijnë përndjekjen e mundshme për shkak të etnisë, orientimit seksual dhe fesë, shkruan “Daily Mail” e Londrës.

Tabloidi britanik nënvizon se gjatë kësaj jave u mësua se në një seancë dëgjimore në Gjykatën britanike të Apelit  se qindra azilkërkrues gay, viktima të trafikimit  dhe të dhunës në familje, mund të jenë deportur gabimisht në Shqipëri, pasi gjykatat dhe Ministria e Emigracionit, i kanë mbështetur vendimit në informacione të pabazuara dhe të sakta për situatën në Shqipëri.  Sipas shifrave të Eurostat-it,  32 mijë kërkesa për azil janë bërë gjatë vitit të kaluar në vendet e BE-së nga shqiptarët, prej të cilave 1700 në Britani.

Top Channel