Shtyhet Kamza-Besëlidhja, policia nuk merr përsipër sigurinë

12/05/2017 00:00

Tifozët zunë vend natyrshëm në stadiumin e Kamzës këtë të premte, me shpresën se do të shikonin një futboll të bukur në finalen e Kategorisë së Parë për grupin A, që do të vendoste se cili do të ngjitej në Superiore.

Por përballja e programuar u shty për një datë dhe orë të pacaktuar, për shkak se Policia e Rendit, ashtu siç kishte njoftuar më parë, nuk garantoi sigurinë në stadium.

Përpjekjet e ekipit të Kamzës shkuan kot për të angazhuar një polici private, pasi diskutimet mes palëve dhe forcat shtesë nuk e bindën FSHF-në dhe policinë, që të merrte përsipër një ndeshje me nivel mbi mesataren në Kategorinë e Parë.

Delegati i FSHF-së, Marius Sulejmani pranoi sugjerimin e forcave blu për të shtyrë takimin mes Kamzës dhe lezhjanëve, pavarësisht interesimit në rritje të tifozëve.

Kështu, finalja e grupit A, Kamza-Besëlidhja mbetet pa një datë konkrete. Sfida tjetër vendimtare në grupin B, mes Lushnjës dhe Bylisit, që do të përcaktojë skuadrën tjetër që do të ngjitet në Kategorinë Superiore, do të luhet të dielën e 14 majit.

Top Channel