Do të jetë skuadra e San Antonio Spurs rivalja e Golden State Warriors në finalen e Konferencës së Perëndimit, në kampionatin e NBA.
Në “Toyota Center”, të besuarit e Gregg Popovich treguan të gjithë forcën, teksa iu imponuan Rockets në ndeshjen e 6, të cilën e fituan me rezultatin 114-75, për ta mbullur serinë e sfidave 4-2. San Antonio nuk kishte në dispozicion Leonard të dëmtuar në kavilje, megjithatë kjo mungesë nuk u ndje aspak në parket, pasi ai që shkëlqeu ishte Lamarcus Aldridge.
San Antonio e dominoi totalisht takimin, madje gjatë pjesës së parë Spurs krijoi një avantazh prej 18 pikësh. Më pas, ndeshja nuk pati më histori, me San Antonion që me kalimin e minutave e thelloi akoma më shumë diferencën në parket, duke e çuar atë deri në 42 pikë.
Aldridge e mbylli sfidën me 34 pikë e 12 topa në tabelë, ndërkohë që spikatën edhe Simmons me 18 pikë e Mills me 14 pikë e 7 asist.
Ndeshja e parë e finales së Konferencës së Perëndimit, mes San Antonio Spurs dhe Golden State Warriors, do të luhet mbrëmjen e së dielës, në “Oracle Arena” të Oklandit.
Top Channel