Baku, “countdown” i Lojërave të Solidaritetit Islamik

11/05/2017 00:00

Numërimi mbrapsht ka nisur tashmë për fillimin e Lojërave të Solidaritetit Islamik, që mbahet këtë vit në Baku të Azerbajxhanit nga data 12 deri më 22 maj.

Delegacioni shqiptar është akomoduar këtë të enjte në fshatin olimpik në kryeqendrën azere, së bashku me 55 shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë edicion të katërt të këtyre lojërave.

Rreziku potencial i akteve terroriste, e gjithashtu plani organizativ i autoriteteve të sigurisë në Azerbajxhan, ka nxjerrë në rrugë dhe sheshe plot 5.000 forca policie të angazhuara për mbarëvajtjen e lojërave.

Ceremonia do të zhvillohet të premten në 21:00, me orën lokale, dhe 65 televizione do të jenë në transmetim të drejtpërdrejtë në të gjithë globin.

Delegacioni kuqezi do të jetë protagonist me 5 sportistë në Lojërat e 4-ta të Solidaritetit Islamik. Relaksa Dauti, Arta Merturi, Spajdi Selamaj, Deni Baholli dhe Elord Gjana do të synojnë podiumin për të ngritur lart flamurin shqiptar, edhe pse konkurrenca e superfuqive sportive si Turqia, Irani apo Arabia Saudite është e madhe.

Lojërat Islamike u mbajtën për herë të parë në Arabi në vitin 2005, e më pas kaluan në Indonezi. Edicioni i tretë i parashikuar në Iran, në fillim u spostua, e më pas u anulua. Tani do të jetë radha e Azerbajxhanit për të synuar të lërë mbresa në aktivitetin me 56 shtete.

Top Channel