Presidenti i ri i Koresë së Jugut do të vizitojë Penianin

10/05/2017 00:00

Presidenti i ri i Koresë së Jugut, Moon Jae-in u zotua gjatë ceremonisë së betimit se do të zgjidhë ngërçet e ekonomisë, por edhe marrëdhëniet me Korenë e Veriut.

Jae-in u shpreh i gatshëm të vizitojë Penianin kur të jenë kushtet e duhura. Këtë e bëri të qartë në konferencën e përbashkët për shtyp, njeriu i porsacaktuar prej tij në krye të Shërbimit kombëtar të Inteligjencës.

“Presidenti mund të vizitojë Penianin sapo tensionet në gadishullin korean të qetësohen në mënyrë të konsiderueshme dhe problemet bërthamore të Koresë së Veriut të nisin e të marrin zgjidhje”, tha Suh Hoon, i emëruar në krye të Shërbimit të Inteligjencës.

Ish-juristi i të drejtave të njeriut është i biri i një refugjati koreano-verior, Jae-in njihet për pikëpamjet e tij liberale. Zgjedhjet u zhvilluan pas skandalit qeveritar që rrethoi ish-kryetaren e shtetit, Park Geun-hye.

Me mijëra vetë protestuan për muaj të tërë në të ashtuquajturat “marshime në dritën e qiririt”, kundër presidentes së korruptuar. Megjithatë grupe mbështetësish të Park, e cila është ndërkohë prapa hekurave ndërsa hetimi për të vazhdon, qëndrojnë ende para sheshit të bashkisë në një kamp provizor çadrash.

Moon Jae-in kishte garuar kundër saj në vitin 2012, por asokohe i humbi zgjedhjet. Ekspertët mendojnë se politika e tij e zbutjes së marrëdhënieve me Penianin mund të shkaktojë nga ana tjetër tensione me Donald Trump, që së fundi i përshkallëzoi së tepërmi retorikat me shtetin komunist.

Top Channel