Brigitte Trogneux, mësuesja që bëhet Zonjë e Parë

08/05/2017 00:00

Nga mësuesja e Emmanuel Macron, në Zonjën e Parë të Francës. Historia e dashurisë së presidentit të zgjedhur francez, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortes së tij, Brigitte Trogneux, ka pushtuar prej kohësh vëmendjen e botës.

Rrëfenja e idiles që kapërcen klishetë nisi në kohën kur Macron, atëherë 15 vjeç, interpretoi në një pjesë teatrale të shkollës së drejtuar nga Trogneux, 24 vite më e madhe sesa ai.

Tani ajo është 64 vjeç, ka 7 nipër e mbesa, e ndoshta nuk do të mbetet thjesht një muzë e presidentit 39-vjeçar, i cili deklaron se pa të nuk do të ishte aty ku është sot.

Nëse e mban premtimin e bërë që përpara triumfit të së dielës, me shumë gjasë do t’i japë të shoqes një rol zyrtar në administratën e tij. Jeta e Brigitte, e lindur në Amiens në veri të Francës, ishte e qetë dhe e thjeshtë përpara se rruga e saj të ndërthurej me atë të një nxënësi këmbëngulës.

Ajo kishte një karrierë të qëndrueshme si mësuese e letërsisë franceze, latinishtes e dramës, dhe ishte e martuar me bankierin Andre Louis Auziere, me të cilin ka 3 fëmijë. Dashuria e Emmanuelit ishte e pandalshme në rrugën e saj dhe e çoi drejt divorcit.

“Ishte e pamundur t’i rezistoje”, pati deklaruar ajo vet për revistën “Paris Match” në vitin 2016. Një reportazh i televizionit “France3” e përshkruan Brigitte si udhërrëfyesen e Macron. Ndërhyrjet mbërrinin deri te fjalimet apo mënyra e interpretimit, ku i tregonte edhe në ç’vend duhet ta ngrinte më shumë zërin.

Të 3 fëmijët e rritur të saj, Sebastien, Laurence dhe Tiphaine, thuhet të kenë një marrëdhënie të mirë me njerkun e tyre dhe janë parë duke bërë fushatë për Macron, ndërsa mbanin veshur bluza ku ishte stampuar emri i partisë së tij “En Marche!”.

Top Channel