Monako, Mbappe: Buffon, gjigant. Por do të mundohem ta mposht

01/05/2017 00:00

Ai është zbulimi i vitit te Monako dhe këtë e tregojnë shifrat, teksa është edhe rreziku numër një që duhet të evitojë Juventus në rrugën drejt Kardifit.

Megjithatë, 18-vjeçari Kylian Mbappe me cilësi të jashtëzakonshme, preferon të mbajë një profil të ulët përpara sfidës me bardhezinjtë.

Sulmuesi i ekipit francez, në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, duket ende si një fëmijë i katapultuar në çështje të rëndësishme biznesi. Megjithatë, një sipërmarrje të vështirë e ka përpara. Të provojë të luajë, në moshën e tij aktuale, në një gjysmëfinale Championsi kundër një ikone si Gianluigi Buffon.

“Buffon është një portier që ka lënë shenjë në historinë e futbollit, është një nga më të mirët në botë, – thotë Mbappe. – Jam i lumtur që do të luaj përballë tij. Çdo ditë përgatitem për të luajtur ndaj kundërshtarëve të këtij niveli, e sigurisht që kur më jepet mundësia ta bëj diçka të tillë, përpiqem gjithnjë t’i mposht”.

Sa i përket Juventusit…

“Është një skuadër e madhe, historinë e së cilës e njohin të gjithë. Aty kanë luajtur lojtarë të mëdhenj në të kaluarën, por edhe sot. Një ekip që për më tepër ka eliminuar Barcelonën dhe mbetet pretendente për trofeun me ‘veshë të mëdhenj’. Bardhezinjtë duket se kanë gjithçka u duhet për të fituar kompeticionin, por edhe ne kemi gjithçka na duhet për të shkuar deri në finale”, thotë Mbappe.

Fakt është se Monako ka mbërritur deri në gjysmëfinale duke u nisur nga shumë herët: paraeliminatoret e verës së kaluar. Ndaj dhe është logjike të pranosh se skuadra nga Principata ka kaluar një mal me vështirësi deri më tani.

Mbappe ka qenë debutues në Champions League këtë sezon dhe kujton gjithçka ka ndodhur, por mbi të gjitha veçon “takimin e kthimit me Manchester City”.

“Ishte hera e parë që luaja si titullar. Më kujtohet që dëgjova himnin e Championsit kur hyja në fushë, ishte me të vërtet speciale. Kam ëndërruar qysh fëmijë të luaja në këtë kompeticion, kohë kur kërkoja me ngulm të shihja çdo ndeshje. Madje edhe tani nuk humbas asnjë mundësi të shoh sfidat e tjera, kur më jepet rasti. Kështu që të luaj në një kompeticion të tillë është një kënaqësi e pamasë për mua”, rrëfen futbollisti zbulim i sezonit.

Top Channel