Reali vuan, por merr tri pikët e kreut

29/04/2017 00:00

Reali fitoi jo pa vështirësi ndaj Valencas këtë të shtunë dhe rimori i vetëm kreun e La Ligas, duke iu shkëputur me tri pikë Barcelonës së vendit të dytë.

Për madrilenët i pari që shënoi ishte Ronaldo në minutën 27 të takimit dhe po portugezi do të bëhej protagonist në minutën e 57-të kur humbet një penallti të dhënë nga gjyqtari i takimit.

Ky episod duket se ringjalli Valencian në fushë që nisi të tregohej gjithnjë e më kërkuese për golin e barazimit. Përpjekjet e miqve u shpërblyen në minutën e 82, kur Parejo gjen rrugën e rrjetës.

Por gëzimi do të zgjaste vetëm katër minuta, pasi Marcelo rikthen buzëqeshjen dhe qetësinë në Bernabeu.

Me këtë fitore, Reali ngjitet në kuotën e 81 pikëve, tre më shumë se Barcelona, ndërkohë që me golin e shënuar, Cristiano Ronaldo bëhet kryegolashënuesi i të gjitha kohërave në gjashtë ligat kryesore të Europës me 367 të tillë.

Top Channel