Kalorësit e Maltës përballë Vatikanit

29/04/2017 00:00

Nuk do të shpalosin shpatat si paraardhësit e tyre 1 mijë vjet më parë, por frontet e betejës janë ravijëzuar mes konservatorëve dhe reformistëve të kalorësve të Maltës, urdhrit katolik të kavalierëve.

Ish-lideri i tij, britaniku Methju Festing është kthyer në Romë për një konfrontim vendimtar në lidhje me të ardhmen e tij, duke sfiduar një kërkesë për të qëndruar larg nga një përfaqësues i Papa Françeskut, që urdhëroi dorëheqjen e tij në janar.

I veshur me të zeza dhe me një kryq maltez të bardhë, 56 zgjedhësit, të njohur edhe si Këshilli Shtetëror, u takuan në Romë pak larg bazilikës së Shën Pjetrit.

Festing është mes 56 personave që do të votojnë për lidershipin e një organizate me buxhet miliarda dollarë dhe me 13 mijë anëtarë, 80 mijë vullnetarë dhe një staf mjeksor që menaxhon kampet e refugjatëve, qendrat e trajtimit të sëmundjeve, programet e shpëtimit dhe klinika në mbarë botën, të përbërë nga 20 mijë vetë.

67-vjeçari Festing u bë i pari Mjeshtër i Madh në disa shekuj i Urdhrit të Maltës, që u themelua në vitin 1048 për të siguruar mbrojtje dhe ndihma mjeksore për pelegrinët në tokën e shenjtë, që urdhërohet të tërhiqet në vend që ta drejtojë urdhërin deri në vdekje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai dhe kardinali amerikan konservator, Rejmond Leo Burke, kapelan i udhërit dhe kritik i Papa Françeskut kishin shkarkuar kancelarin e madh Albreht Freiherr von Boeselager, që ishte numri dy pas Festing. Ata e akuzonin se kishte shkelur mësimet katolike duke bërë një sy qorr përballë shpërndarjes së prezervativëve në një projekt në Mianmar.

Në një ndërhyrje të paprecedentë, Papa zgjodhi një komision për të hetuar ngjarjen. Ai u vendos përkrah Boeselager dhe urdhëroi dorëheqjen e Festing. Që nga ajo kohë, në prapaskena ka pasur shumë manovra, ndërkohë që reformatorët e mbështetur nga Vatikani duan të rihartojnë Kushtetutën e Urdhrit dhe ta bëjnë qeverisjen e tij më transparente.

Top Channel