Shtohet presioni ndaj “Facebook”

26/04/2017 00:00

Shërbimi i transmetimeve “live” të rrjetit social “Facebook” është kritikuar sërish prej ditës së djeshme, pasi një tajlandez bëri publik videon e vrasjes së vajzës së tij 11-muajshe.

Wuttisan Wongtalay, 20 vjeç, filmoi aktin barbar ndaj të bijës në tarracën e një hoteli të braktisur, përmes dy klipeve të shkëputura në rrjetin social, përpara se të vetëvritej, siç raporton policia lokale e qytetit Phuket në Tajlandë.

Të afërm të babait vrasës panë pamjet tmerruese mbrëmjen e së hënës dhe njoftuan menjëherë policinë, por efektivët mbërritën shumë vonë për të shpëtuar jetën e foshnjes apo edhe të vet agresorit.

Videot e makabritetit ishin të aksesueshme për përdoruesit në faqen e tij në “Facebook” për të paktën 24 orë, përpara se të hiqeshin mesditën e së martës, apo 17 me orën lokale. Videot, edhe pse të rënda, ishin parë 112 mijë herë e para dhe 258 mijë herë e dyta. Më e keqja është se këto klipe ishin ngarkuar në “Youtube” edhe nga persona të tjerë. Por “Youtube” njoftoi se videot ishin hequr brenda 15 minutash nga njoftimi i marrë.

Vetëvrasja e Wuttisan nuk u transmetua “live” në “Facebook”, por trupi i tij u gjet pranë së bijës, tha Jullaus Suvannin, oficer policie që ka për ngarkim këtë rast. “Wuttisan ishte paranojak dhe dyshonte se bashkëshortja nuk e donte dhe mund ta linte”, tha ai.

Ndërkohë reagoi edhe një zëdhënës i “Facebook”-ut, i cili tha se “ky incident ishte i tmerrshëm dhe mendimet shkojnë me familjarët e viktimës. Absolutisht nuk ka vend për të tilla përmbajtje në rrjetin tonë social, ndaj dhe videot janë hequr”.

Videot u hoqën nga “Facebook” pasi Ministria tajlandeze e Ekonomisë Dixhitale kontaktoi me rrjetin social pasditen e së martës, gjë që ndoqi të njëjtën kërkesë edhe nga policia. “Nuk është e mundur që ta akuzojnë Facebook-un në këtë rast, pasi rrjeti social veproi sipas protokollit të tij sapo i dërguam kërkesën tonë. Kështu që bashkëpunoi shumë mirë”, tha Somsak Khaosuwan, zv.sekretar i përhershëm i ministrisë.

Top Channel