Ngritja e “Trumpit të Pirenejve”. Macron, sfidanti i “En Marche!”

25/04/2017 00:00

Në prag të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, u bënë krahasime të shpeshta mes Donald Trump dhe udhëheqëses së “Frontit Nacional”, Marine Le Pen, për shkak të ngjashmërive ideologjike mes tyre.

Por “Zëri i Amerikës” analizon edhe të përbashkëtat mes mënyrës sesi e mori Shtëpinë e Bardhë manjati i pasurive të patundshme dhe ngritjes së Emmanuel Macron.

Dalja e tij në krye është një mësim, sipas VOA-s, për politikanët e qendrës në Europë sesi mund të mposhtet populizmi i djathtë.

Ashtu si Trump, edhe 39-vjeçari  francez nuk ka mbajtur kurrë më parë një post të siguruar me zgjedhje. Ai ka qenë bankier investimesh dhe për pak kohë ministër socialist i Ekonomisë, post në të cilin u emërua nga presidenti François Hollande.

Sot, nga një emër thuajse fare i panjohur, ai është shndërruar në favoritin për të fituar presidencën franceze në balotazhin e muajit të ardhshëm. Skeptikët e minimizuan kandidaturën e Macron, duke e cilësuar një “flluskë sapuni” që do të shfryhej shumë shpejt.

Por nuk ndodhi ashtu. Në më pak se një vit, progresisti që e quan veten si “as të majtë e as të djathtë” ka ndërtuar me shpejtësi partinë e tij “En Marche!” (Përpara!). Ajo ka tani 250 mijë anëtarë, dyfishin e anëtarëve të Partise Socialistë.

Që nga viti 1958, kur u krijua Republika e Pestë nga udhëheqësi francez i kohës së luftës, gjenerali Charles de Gaulle, asnjë kandidat i pavarur pa eksperiencë elektorale nuk ka arritur t’i afrohet Pallatit “Elysee”.

Macron, sidoqoftë, ka ndryshime të mëdha me Trumpin sa i takon ideologjisë: ai është pro globalizimit, pro marrëveshjeve për tregëti të lirë, pro BE-së dhe mikpritjes për emigrantët. Por, ashtu si presidenti amerikan dhe populistët e djathtë europianë, ai ka përfituar nga rritja e zemërimit të publikut ndaj partive tradicionale.

Top Channel