7 km më shume së Reali, Barça fiton edhe përmes numrave

24/04/2017 00:00

Klasikja e çmendur e futbollit spanjoll rihapi garën për titullin në La Liga duke intriguar edhe më shumë renditjen me humbjen e Realit të Madridit në tempullin e tij.

Tifozët janë të ndarë mbi verdiktin që dha fusha por statistikat tregojnë se formacioni katalanas që triumfoi 3-2, ka dominuar edhe në analizën e numrave.

Barcelona vrapo në total thuajse 7 kilometra më shumë se rivalët merengues në stadiumin Santiago Bernabeu. Sigurisht që këtu ndikon përjashtimi me karton të kuq i Sergio Ramos në 13 minutat finale, por sërish të dhënat e ofruara për Primera Divizion, tregojnë një mesatare të lartë të kilometrave në këmbët e futbollistëve, krahasuar me “Los Blancos”. Sergi Roberto nuk spikati shumë në skemat blaugrana pasi skena u vodh me meritë nga Lionel Messi.

Por Roberto ishte i vetmi që doli përtej kufirit të 12 kilometrave, i ndjekur nga Ivan Rakitiç, Zhordi Alba, Busquets, Pique dhe Iniesta. Të gjithë lojtarët blaugrana ishin mbi mesataren e tyre, një fakt i qartë se bënë të pamundurën për të marrë 3 pikët në fushën më të vështirë në Spanjë.

Si për çudi, futbollisti më i shpejtë i El Klasikos nuk ishte një lojtar sulmi por mbrojtësi Zherar Pike’. Futbollisti i Barcelonës regjistroi shpejtësinë 33.33 km/orë, përpara Marko Asensio  që ishte i dyti më i mirë, dhe portugezit Cristiano Ronaldo, me shumë pak distancë nga dy të parët e podiumit.

Top Channel