Udhëheqësit europianë, mbështetje për Macron

24/04/2017 00:00

Me të ardhmen e Europës që tani sheh për nga Franca, udhëheqësit e kontinentit të vjetër e kanë lënë mënjanë traditën e mosndërhyrjes në zgjedhjet e njëri-tjetrit e kanë dalë hapur në mbështetje të Emmanuel Macron, me këshillën e pazakontë për zgjedhjen e kandidatit që dëshiron një BE më të fortë dhe jo të atij që kërkon ta hedhë në erë unionin.

Pak orë pasi votuesit francezë thanë fjalën e tyre, mbështetja e dhënë kandidatit të qendrës u përshëndet në kryeqytetet anembanë Europës.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve është i rëndësishëm për Francën, sepse Macron ka kurajon dhe forcën ta nxjerrë vendin nga letargjia. Dhe po flasim për një shtet europian, pa të cilin nuk i japim dot formë Europës. Ai ka idetë dhe fuqinë të kapërcejë ndarjen e Europës në veri dhe në jug, në të pasur e të varfër. Ndaj besoj se bëjmë mirë që e përkrahim dhe, në të njëjtën kohë, parandalojmë që antieuropianët rreth ‘Madame’ Le Pen ta zhysin edhe më shumë Europën në krizë”, tha Sigmar Gabriel, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

“Franca dhe Europa mund të fitojnë së bashku”, deklaroi një zëdhënës i Kancelares Angela Merkel.

“Urime Emmanuel Macron”, shkroi në “Twitter” kryeministri danez i qendrës së djathtë, Lars Lokke Rasmussen. “Do të presim deri në zgjedhjet përfundimtare, por Europës i nevojitet një Francë mendjehapur dhe e orientuar drejt reformave”, shton ai.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Alexander Lambsdorff e përshkroi 39-vjeçarin si John F. Kennedy të Francës. “Macron është kandidati që përfaqëson vlerat e BE-së”, deklaroi Komisioni Europian.

“Franca është shtyllë qëndrore e BE-së. Është një prej vendeve themeluese dhe në mesin e atyre shteteve që mishërojnë dhe simbolizojnë vlerat, ku mbështetet integrimi europian. Dhe Emmanuel Macron është pikërisht kandidati ku materializohen këto vlera”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i KE-së.

Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini shkroi në frëngjisht në “Twitter”. “Të shohësh flamujt e Francës dhe BE-së duke përshëndetur rezultatin e Macron është shpresa dhe e ardhmja për gjeneratën tonë”.

Mbështetja e Moskës nuk ka surpriza. Ajo ishte që në fillim për Le Pen, ndërsa Donald Trump nuk ka shkruar më në rrjetin social që nga e diela, kur tha se në Francë po zhvillohen një palë zgjedhje mjaft interesante.

Top Channel