MotoGP, Marc Marquez “pushton” Teksasin

24/04/2017 00:00

Pista në Austin të Teksasit mund të përkufizohet fare mirë si “fortesa” e Marc Marquez. Piloti spanjoll i Hondës triumfoi në ndalesën e tretë të Botërorit të “MotoGP”, duke shënuar suksesin e tij të pestë radhazi në këtë Çmim të Madh.

Marquez e nisi garën nga “pole position” dhe këtë radhë nuk bëri asnjë gabim, duke fituar me meritë garën.

Menjëherë pas tij, në vendin e dytë u rendit veterani Valentino Rossi, i cili arriti të fitojë duelin me spanjollin tjetër të Hondës, Dani Pedrosa, që në fund u detyrua të kënaqej me vendin e tretë.

Në vendin e katërt u pozicionua Crutchlow, që fitoi betejën me Zarco. Ducati pati si rezultatin më të mirë vendin e 6 të Andrea Doviziosos, ndërsa Lorenzo e mbylli garën në vendin e 9.

Ai që zhgënjeu më shumë në këtë garë ishte Maverick Vinales, i cili u rrëzua në xhiron e dytë, duke braktisur përfundimisht garën.

Në renditjen e përgjithshme, kryesimin e merr Valentino Rossi me 56 pikë, i ndjekur nga Vinales me 50 dhe Marc Marquez me 38 pikë.

Top Channel