Me minoritetin në Finiq, Rama thumbon Dulen: Vettingu shëron plagët

23/04/2017 00:00

Vettingu është shërimi i plagëve që ka shkaktuar korrupsioni, e që sipas kryeministrit duhet të veprojë sa më shpejt, duke nisur nga gjykatat. Thirrjen për zbatimin sa më shpejt të vettingut, Rama ia adresoi nga Finiqi, çadrës së protestës.

“Dreqi është në gjykatë. Shejtani është në gjykatë. Kështu që është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të bëhemi bashkë për të nxjerrë shejtanin nga gjykata. Dhe vettingu, që i ka detyruar ata të futen në çadër bashkë me Vangjelin… Nuk e di Vangjeli çfarë bën atje, gjumë nuk fle ai, sepse unë e njoh, e kam edhe mik. Por na ka ikur në drejtim të paditur. Vetëm ju mund ta sillni në rrugën e Zotit, Vangjelin, ju të kishës”, tha Rama.

Kryeministri shpërndau leje legalizimi për ndërtimet në Bashkinë e Finiqit, ku veçoi se në dy mandatet e paraardhësit të tij ishin kryer vetëm 6 të tilla. Për Finiqin dhe Dropullin, të përbërë nga minoriteti grek, kryeministri foli për shumë projekte zhvillimi, por veçoi si më kryesorët atë të regjistrimit të tokës dhe ngritjes së një zyre për arsimimin e pakicave.

“Jo vetëm ne do të mbarojmë të gjithë procesin e legalizimit deri kur shtëpia e fundit të ketë marrë titullin e fundit të pronësisë, por do të çojmë përpara edhe procesin e regjistrimit të të gjithë tokave dhe llogjet e shpifjet që bëhen nga ata, që minoritetin e kanë përdorur dhe e përdorin vetëm për politikë”, deklaroi më tej Rama.

Gjatë fundjavës, kryeministri u dorëzoi lejen e legalizimit disa objekteve të kultit. Ai i ka dhënë myftiut të Kukësit, certifikatën e legalizimit të 5 xhamive të zonës së Bicajt. Edhe në Gjirokastër është legalizuar kisha më e re, që hapi dyert një javë më parë në ditën e Pashkëve. Certifikata legalizimi u shpërndanë edhe për disa kisha në Bashkinë e Finiqit.

Top Channel