Las Vegas, shiringa falas kundër HIV

14/04/2017 00:00

Las Vegas, qyteti i makinave me monedha, po i kthehet atyre edhe për të ndihmuar në forcimin e luftës kundër infektimit me virusin HIV dhe sëmundje të tjera të përhapura nga gjaku, të cilat kanë bërë kërdinë mes përdoruesve të drogës në rrugë intravenoze ne “qytetin e mëkatit”.

Shumë automate, nga ato të përdorura zakonisht për shitjen e ushqimeve të paketuara, tani do të mbushen me shiringa sterile me shpresën se kështu do të ulet niveli i përdorimit të të njëjtave shiringa mes atyre që injektojnë lëndët narkotike.

Vendosja e makinave të tilla është e para e këtij lloji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas drejtuesve të programit “Trac-B Exchange” dhe zyrtareve lokalë të shëndetësisë, të cilët janë bashkëfinancuesit e projektit.

“Njerëzit, edhe pse mund ta dinë rrezikun, sillen përsëri në një mënyrë që mund të jetë kërcënuese për shëndetin e tyre për shkak të pasojave që u sjell. Ne duam t’i inkurajojmë që ta ulin ndjeshëm këtë rrezik, duke u garantuar shiringa sterile dhe instrumente të tjera të pastra, të cilët të mos kenë nevoje t’i marrin nga të tjerët ose t’i ripërdorin”, shprehet Chelisi Cheatom, përfaqësuesi i programit “Trac-B Exchange”.

Këto automate me monedha nuk marrin para. Përdoruesve të tyre do t’u duhet të regjistrohen pranë programit “Trac-B Exchange” ku do të pajisen me një kartë skanimi dhe një numër identifikimi, çka i lejon të përfitojnë dy pako në javë. Makinat në fjalë do të jene funksionale pranë dy klinikave të qytetit duke nisur nga fundi i muajit maj.

Top Channel