Porosia e McCain: Ushtria, vetëm me ndryshime kushtetuese

13/04/2017 00:00

Senatori amerikan, John McCain ka porositur Kosovën të bëjë veprimet e duhura për progres. Ai gjatë qëndrimit të tij në Kuvendin e Kosovës, nga ku pritet votimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ka folur për lidhjet e tij me shqiptarët duke treguar se e bija e tij është birësuar pas vizitës së bashkëshortes në Bangladeshi si kërkesë e shënjtores Nënë Tereza për të shpëtuar dy vajza të sëmura nga jetimorja.

Pavarësisht se vizitën e tij në Prishtinë e quajti festë, porositë ishin të qarta.

“Kosova ka bërë progres, por ka ende shumë punë për të bërë. SHBA do të jenë me ju në sfidat që do të vijnë dhe për të parë mundësitë përpara. Si një mik i vjetër që do ta shoh Kosovën të ketë sukses do të doja të ndaj me ju shpresat për një të ardhme të ndritshme. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit ka qenë një sukses, ndaj mendimet e Presidentit Thaçi se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe liberalizimi i vizave do të paraqet një hap të rëndësishëm drejt të ardhmes Europiane”, tha senatori.

McCain, ish-ushtarak dhe njeri i rëndësishëm në administratën e re amerikane sa i përket sigurisë, tha se ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me ndryshimet kushtetuese.

“Personalisht do të bëj gjithçka që mundem për të siguruar mbështetjen e SHBA në aspektin e sigurisë për Kosovën. Siguria e Kosovës në një afat të gjatë është e lidhur me SHBA dhe NATO-n  dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë duke ndarë vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit. Andaj është e rëndësishme që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Ky është një vendim sovran që vetëm populli i Kosovës mund ta sjell”, shtoi McCain.

Ai ka takuar edhe kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa pritet që presidenti kosovar, Hashim Thaci, të premten ta nderoj me “Urdhrin e Lirisë”.

Top Channel