Masakra e Beslanit, Rusia dështoi t’i mbronte pengjet

13/04/2017 00:00

Plot 13 vite nga pengmarrja tragjike në shkollën fillore të Beslanit, ku vdiqën 330 vetë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut doli me vendimin se Rusia dështoi t’i mbronte ata njerëz.

Rebelët çeçenë morën mbi 1.000 pengje në vitin 2004, pjesa më e madhe e tyre fëmijë. Në operacionin e forcave ruse, që synonte fundin e incidentit, u përdor – sipas gjykatës, – forcë e tepruar. Kremlini, gjithsesi nuk është dakord.

“Ne nuk mund të pajtohemi kurrsesi me një vlerësim të tillë, në një vend që ka vuajtur nga më shumë sesa vetëm një sulm terrorist. Në raport me këtë vendim do të ndërmerren të gjitha lëvizjet e nevojshme ligjore”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Gjykata doli në përfundimin se zyrtarët e dinin që gjasat e një sulmi ishin të mëdha, por sërish nuk reaguan. Burra e gra të maskuar, me breza eksplozivësh në trup, mësynë ndërtesën e hapën zjarr në oborrin e saj, në fundin e ceremonisë që shënonte nisjen e vitit të ri shkollor.

Pengjet u ngjeshën në palestrën e mbushur gjithashtu me lëndë plasëse. Rrëmbyesit pretendonin tërheqjen e trupave ruse nga Çeçenia. Pengmarrja e tensionuar përfundoi befasisht në ditën e tretë me dy shpërthime vdekjeprurëse dhe një shkëmbim zjarri intensiv.

Dëshmitarët okularë e përshkruajnë ndërhyrjen e forcave ruse të sigurisë si kaotike, me një përdorim të ekzagjeruar force dhe armatimesh të rënda. Vetëm njëri prej pengmarrësve u kap i gjallë e u nxor përpara drejtësisë.

Për më shumë se një dekadë, të mbijetuar e të afërm të viktimave kanë shtruar pyetjen nëse ngjarja fatkeqe mund të ishte shmangur, e duan po ashtu të dinë përse vdiqën kaq shumë njerëz gjatë operacionit të shpëtimit. 186 prej atyre që humbën jetën shtatorin e vitit 2004 ishin fëmijë.

Top Channel