McCain ndalon në Kosovë

13/04/2017 00:00

John McCain qëndron sot në Kosovë për takime me liderët e institucioneve dhe partive politike.

Zyra e Presidentit Hashim Thaçi njoftoi se senatorit amerikan do t’i jepet gjatë kësaj vizite “Urdhri i Lirisë”, një nderim për kontributin e tij ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe për rolin e ish-kandidatit presidencial në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, e konsideruar nga Prishtina “aleate e përjetshme”.

Axhenda e McCain-it përfshin takime me kreun e ekzekutivit Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Në një seancë solemne të organizuar posaçërisht për të, senatori republikan pritet të mbajë dhe një fjalim përpara ligjvënësve kosovarë. McCain e nisi në 7 prill turneun e tij në Ballkanin Perëndimor, lëvizje kjo që vjen pikërisht në kohën kur nga rajoni i ka kthyer sytë si Europa, ashtu edhe Amerika, të shqetësuara prej përpjekjeve të Rusisë për të rritur ndikimin e saj politik dhe ekonomik.

Gjatë ndalesës në Sarajevë, McCain e shprehu qartë shqetësimin që ngjallin ndërhyrjet e Moskës në çështjet e brendshme të Bosnje-Hercegovinës. Gjatë vizitës në Beograd, nga ana tjetër, i tha Presidentit të porsazgjedhur Aleksandar Vuçiç se çdo gjë që ndodh në Europën lindore, prek interesat e SHBA-së.

“Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, mesazhi për kolegët e mi në Senat, Presidentin dhe popullin amerikan, është se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është me interes jetik për sigurinë kombëtare të Amerikës”, deklaroi ai në Beograd.

Në deklaratat e bëra gjatë këtij turi diplomatik, McCain akuzoi gjithashtu Rusinë për bashkëpunim me Sirinë në kryerjen e një sulmi të dyshuar kimik e tha se rusët kanë qenë në dijeni të armëve kimike, pasi kanë operuar saktësisht nga e njëjta bazë. Në rrugëtimin e tij, McCain shmangu Maqedoninë, duke i dërguar kështu një sinjal të fortë vendit të zhytur në krizë politike.

Top Channel