Jing Ki do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale pesëorëshe për rimodelimin e hundës dhe heqjen e dhjamit, me shpresën se do ta ndihmojnë të duket më tërheqëse.

27-vjeçarja është një prej dhjetëra mijëra personave në Kinë, që shpresojnë të gjejnë famën “online” si moderatore e transmetimit “live” në internet.

Jing, aktualisht është e punësuar me kohë të plotë pranë një agjencie reklamash, ndërsa me kohë të pjesshme punon për platformën “live” “Huajiao”, e kjo i krijon mundësinë të fitojë disa parà më shumë. Qëllimi i vajzës, megjithatë, është të bëhet mjaftueshëm e famshme si moderatore, në mënyrë që të nisë një biznes të sajin “online”.

“Nëse operacioni plastik do të ndikojë edhe në vlerësimin e performancës sime në internet, numri i adhuruesve do të rritet. Kjo ndodh sepse shoqëria e sotme e vlerëson shumë pamjen e jashtme”, tha Jing Ki, prezantuese “online”.

Ndërhyrja i kushton 27-vjeçares 100 mijë juanë, ose 14.500 dollarë, që do të thotë 10 herë më shumë sesa paga e saj mujore. Spitalin, ajo e gjeti në një faqe të quajtur “Soyoung”, edhe kjo një platformë “online”, e cila u siguron klientëve të dhëna mbi spitalet që kryejnë operacione plastike.

Rreth 344 milionë kineze, apo 47% e të gjithë përdoruesve të internetit në këtë vend, kanë marrë pjesë në transmetimet “online” që prej dhjetorit, një sektor që deri para 3 vitesh nuk njihej shumë në këtë vend, por tani po zhvillohet me shpejtësi duke sjellë fitime të mëdha.

Top Channel